Ethet e Nilit mbërrijnë në Shqipëri- Konfirmohet rasti i parë në Korçë, preket një 72-vjeçar

Shëndet | 2 muaj më parë

Shqipëria ka konfirmuar rastin e parë për vitin 2026 me infeksion nga Virusi i Nilit Perëndimor, i njohur si Ethet e Nilit.

Bëhet fjalë për një 72-vjeçar nga Korça, i cili ndodhet aktualisht i izoluar në Spitalin Rajonal të Korçës, ku po merr trajtimin mjekësor përkatës. Sipas burimeve nga NJVKSH Korçë, familjarët e personit të prekur kanë rezultuar negativë në testimet e kryera.

Pas konfirmimit të rastit, ISHP po vijon survejancën epidemiologjike në njerëz, hetimin e rastit dhe monitorimin entomologjik në qarkun e Korçës, me qëllim evidentimin e pranisë së mushkonjave që mund të transmetojnë virusin.

Sipas të dhënave zyrtare, që nga fillimi i janarit 2026 janë testuar 30 mostra të rasteve të dyshuara për infeksion nga Virusi i Nilit Perëndimor, të gjitha me rezultat negativ. Rasti i evidentuar në Korçë është i pari i konfirmuar në Shqipëri për këtë vit.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Mushkonja infektohet zakonisht pasi ushqehet me zogj ose kuaj të infektuar dhe më pas mund ta transmetojë virusin te njerëzit përmes pickimit.

Simptomat e infeksionit mund të nisin me temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të përziera dhe të vjella. Në raste më të rënda, virusi mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë encefalit.

Infeksioni nga Virusi i Nilit Perëndimor nuk është i panjohur në Shqipëri. Në vitin 2024 u raportuan 107 raste të konfirmuara dhe 50 raste të mundshme, ndërsa në vitin 2025 u evidentuan dy raste të konfirmuara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme