Kurti takim me liderët e Luginës së Preshevës: BE të reagojë ndaj diskriminimit të shqiptarëve

Kosovë | 2 muaj më parë

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti i bëri sot thirrje bashkimit evropian që të reagojë ndaj diskriminimit sistematik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Në një takim  me përfaqësues politik dhe organizatave civile nga Presheva, Bujanoci, Medvegja por edhe Sanxhaku, Kurti theksoi se parimet evropiane për sundimin e ligjit dhe barazinë duhet të vlejnë edhe për këto komuna.

Vizitën që presidenti serb Aleksandër Vuçiç zhvilloi së fundmi në luginë, Albin Kurti e cilësoi si tregues të klimës me të cilën përballen shqiptarët atje.

“Por shtypja nga shteti i Serbisë nuk shihet vetëm në statistika. Shihet edhe në gjuhë, shihet në sjellje, shihet në mënyrën se si reagon shteti. Pikërisht një javë më parë, kur presidenti i Serbisë, Vuçiç, vizitoi vetëm vendbanimet me shumicë serbe në Medvegjë, në Bujanoc dhe në një fshat të Preshevës, duke përdorur gjuhë stigmatizuese e denigruese ndaj shqiptarëve, dhe më pas është dëgjuar premtimi nga Vuçiçi për punësim nga BIA për 48 orë. Dhe ky kontrast është i rëndë. Kur shqiptari kërkon punësim në institucionet publike, përballet me barriera dhe nën përfaqësim. Dhe pikërisht për këtë arsye sot jam këtu jo vetëm për t’ju folur, por të bashkëbisedojmë. Qasjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës e kemi ndërtuar në këtë linjë të përbashkët”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës gjithashtu bëri me dije se Prishtina ka miratuar dhe lëvruar rreth 2.1 milionë euro për projektet në ndihmë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës por tranfertat e tyre janë bllokuar nga autoritetet serbe.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme