Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 5 vatra aktive, situata më problematike në Dajt dhe Dibër

Pesë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e vendit, ndërsa pesë të tjera janë nën mbikëqyrje. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se për përballimin e situatës janë angazhuar 319 forca operacionale dhe 24 automjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje të operacioneve janë vënë në dispozicion edhe 80 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.
Situata më problematike vijon në zonën e Dajtit, në drejtim të Qafë-Priskës, përballë Farkës, ku zjarri mbetet aktiv. Operacioni vijon sot me 15 forca zjarrfikëse, nëntë efektivë të AdZM-së dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura. Sipas autoriteteve, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun Dibër mbeten aktive vatrat e zjarrit në Vajkal, Lundre dhe Ballenjë, ndërsa zjarri në Sllatinë është izoluar dhe mbahet nën mbikëqyrje. Në Vajkal operacioni vijon me 38 forca të MZSH-së dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa në Lundre gjatë ditës së sotme do të angazhohen 20 efektivë të FA-së. Edhe në këto zona, autoritetet bëjnë me dije se nuk raportohet rrezik për banesat.
Ndërkohë, në brezin Bershi–Kurdari–Patinë, në bashkinë Klos, vijojnë të jenë aktive dy vatra zjarri, të cilat kanë përfshirë një sipërfaqe prej rreth 4 hektarësh. Në qarkun Korçë, situata në Qafën e Lugut, Vithkuq, raportohet nën kontroll dhe zona vijon të mbahet nën mbikëqyrje. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në qarkun Elbasan, vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit vijojnë të monitorohen, ndërsa edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat. Në qarkun Durrës, zjarri në fshatin Zallë, Fushë-Krujë, i cili u vu nën kontroll gjatë ditës së djeshme, është shuar plotësisht pas ndërhyrjes së strukturave vendore dhe 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.
Vatra të tjera të raportuara gjatë 24 orëve të fundit në qarqet Tiranë, Durrës, Berat, Shkodër, Gjirokastër, Lezhë, Vlorë dhe Korçë janë shuar ose nuk paraqesin rrezik, ndërsa monitorimi vijon në zonat ku është e nevojshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



