Bekim Sejdiu kandidati konsensual për president, reagon AAK: Nuk jemi pyetur, barrë e tyre politike

Kosovë | 2 muaj më parë

Pas javësh negociatash, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e Bekim Sejdiut si kandidat konsensual për president të Kosovës. Marrëveshja mes dy forcave politike është bërë e ditur në Kuvend, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka deklaruar se nuk është përfshirë në negociata.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se partia e tij nuk është konsultuar për marrëveshjen.

“Çfarë marrëveshje është bërë, nuk na kanë pyetur as përpara, as pas. Ju themi që është barrë e juaja politike. Aleanca qëndron mbi atë që ka kontratë publike politike, 6 pikat e veta”, deklaroi Tahiri.

Kushtet e AAK-së:

Orientimi strategjik dhe gazi amerikan: Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si një projekt i rëndësisë jetike për orientimin afatgjatë të shtetit.

Pavarësia energjetike: Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit me thëngjill, për të garantuar zhvillim ekonomik dhe ulje të inflacionit.

Lehtësime për bizneset e vogla: Ngritja e menjëhershme e pragut të TVSH-së nga 30,000 në 100,000 euro, për të çliruar potencialin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Mbështetje për bujqësinë: Lirimi i plotë i tokës së punuar nga tatimi në pronë, me qëllim nxitjen e punimit të tokës dhe përkrahjen direkte të bujqve.

Buxhetimi i infrastrukturës: Financimi i plotë buxhetor i projekteve të infrastrukturës jetike në Kosovë, të cilat aktualisht kanë mbetur të pezulluara në mungesë të mjeteve.

Fondi emergjent për kryeqytetin: Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard eurove për Prishtinën, e cila, sipas tij, po bëhet e pajetueshme në mungesë të investimeve kapitale.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme