Ngjarja e rëndë në Orikum, policia zbardh konfliktin: Gjobë 5 milionë euro ndaj Vasil Bedinajt, biznesmeni Luan Muça mes 5 të arrestuarve, 6 të tjerë në kërkim

Aktualitet | 2 muaj më parë

Policia e Vlorës, përmes një konference për mediat të mbajtur sot më 3 shtator, ka dhënë detaje të plota mbi incidentin e ndodhur në Orikum, ku u përfshinë biznesmenët Luan Muça dhe Vasil Bedinaj.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Edvin Ndreu, deklaroi se “Siç jeni bërë me dije nëpërmjet informacionit paraprak, sot, rreth orës 11:30, jemi njoftuar nga pronari i një hoteli në Radhimë, konkretisht nga shtetasi V. B., se kishte nevojë për ndihmë, pasi disa persona e kishin dhunuar dhe kërcënuar me armë zjarri. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë dhe janë nisur në drejtim të adresës së dhënë.”

Ndreu shtoi se “Duke vlerësuar maksimalisht informacionin e marrë, u ngritën pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit të Vlorës dhe në Dhërmi. Gjithashtu, menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë. Ndërkohë, u bashkëpunua me Drejtoritë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe Fier për ngritjen e pikave të kontrollit edhe në këto territore.”

“Rreth orës 12:00, një automjet tip “Range Rover” nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar dhe u përplas me barrierat në fshatin Peshkëpi. Në automjet ndodheshin Luan Muça dhe vëllezërit Klaudio e Mandrit Lleshaj. Muça dhe Mandrit Lleshaj u dëmtuan dhe u transportuan në spital, jashtë rrezikut për jetën. “Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri, pistoletë, së bashku me një krehër me 16 fishekë luftarakë,” tha Ndreu.

Sipas asaj që Drejtori i Policisë së vlorës, më vonë, në Fier u ndalua një tjetër automjet i shpallur në kërkim, me drejtues shtetasin kosovar Blerim Heta, ku u gjetën fishekë pistolete dhe dëmtime të shkaktuara nga armë zjarri. Po atë ditë, në bypass-in e Vlorës u gjet i djegur një automjet tip “Audi A8”, i dyshuar se ishte përdorur nga autorët.

Më tej ai deklaroi se, nga hetimet rezultoi se Luan Muça, së bashku me persona të tjerë, kishte shkuar në hotelin e Vasil Bedinajt, ku nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike i kishin vendosur një gjobë prej 5 milionë eurosh dhe e kishin kërcënuar që, pas 48 orësh, të largohej nga Shqipëria.

Sakaq Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Edvin Ndreu deklaroi se “Në përfundim të veprimeve, policia arrestoi në flagrancë:Luan Muça, 55 vjeç, banues në Tiranë;Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, banues në Tiranë; Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, banues në Tiranë; Blerim Heta, 40 vjeç, shtetas kosovar; Angjelo Breshani, 29 vjeç, banues në Vlorë.

Në fund Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Edvin Ndreu  shtoi se janë shpallur në kërkim 6 shtetas dhe 4 automjete të dyshuara se janë përfshirë në ngjarje dhe vijon puna intensive për kapjen e tyre.

Ja personat e arrestuar sipas Policisë së Vlorës:

  • Luan Muça, 55 vjeç, banues në Tiranë
  • Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, banues në Tiranë
  • Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, banues në Tiranë
  • Blerim Heta, 40 vjeç, shtetas kosovar
  • Angjelo Breshani, 29 vjeç, banues në Vlorë

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme