Negociatorët amerikanë në Moskë dhe Kiev, Trump: Po shkojnë me një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës 

Botë | 2 muaj më parë

Përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës po intensifikohen, me negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner që këtë fundjavë do të zhvillojnë takime në Moskë dhe Kiev.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se të dërguarit e tij po udhëtojnë drejt dy vendeve me një propozim konkret për përfundimin e luftës.

“Po shkojnë me një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës”, tha Trump para gazetarëve, duke iu referuar vizitave të Witkoff dhe Kushner.

Pas takimeve në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin, të dërguarit amerikanë pritet të vijojnë bisedimet në Ukrainë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se do të takohet me ta të dielën.

Në kuadër të përpjekjeve për të krijuar një klimë më të favorshme për negociatat, Zelensky tha se Ukraina do të garantojë sigurinë e hapësirës ajrore gjatë vizitës së delegacionit amerikan, duke kërkuar që edhe Moska të ndërmarrë të njëjtin hap për Ukrainën.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se ekziston mundësia për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Ukrainën. Megjithatë, sipas tij, fillimisht Moska dhe Kievi duhet të arrijnë një mirëkuptim mes tyre.

Trump komentoi edhe raportimet për mundësinë e sulmeve ruse ndaj vendeve anëtare të NATO-s, duke i mohuar këto shqetësime.

“Putin nuk ka ndërmend të sulmojë territoret e NATO-s. Po flas me të. E njoh shumë mirë”, deklaroi presidenti amerikan.

Ndërkohë, situata në Ukrainë mbetet e tensionuar. Presidenti Zelensky tha se një dron rus goditi një objekt që lidhet me shërbimin ukrainas të sigurisë SBU në Kiev, pa shkaktuar viktima.

Të shtunën, autoritetet rajonale njoftuan gjithashtu se disa persona u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën nga një sulm rus në qytetin Kamjanske.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme