Zjarret, Ministria e Mbrojtjes: 14 vatra vijojnë aktive, qindra forca në terren. Problematike situata në Shkodër dhe Tiranë

Aktualitet | 2 muaj më parë

Ministria e Mbrojtjes ka raportuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 44 vatra zjarri në të gjithë vendin. Prej tyre, 14 vijojnë aktive, 9 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 21 janë shuar.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 636 forca vendore dhe 67 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 329 efektivë, mjete të shumta, si dhe kanë zhvilluar 6 operacione me helikopterë, ndërsa në operacione janë përdorur edhe një avion Air Tractor dhe një dron.

Në qarkun Shkodër, vijon aktive vatra e zjarrit në Bardhaj–Myselim, ku ndërhyrja po kryhet nga toka dhe ajri, me angazhimin e 71 efektivëve dhe dy helikopterëve të Forcave të Armatosura. Aktive janë edhe vatrat në Mnelë të Vogël, Naraç dhe malin e Tërbunit, ku janë angazhuar gjithashtu 50 forca ushtarake. Ndërkohë, zjarri në Bërdicë është nën mbikëqyrje dhe nuk paraqet rrezik për banesat.

Në Tiranë, aktive mbeten vatrat në Malin e Dajtit, Kryezi të Kavajës dhe Selitë e Malit. Në Dajt janë angazhuar 82 efektivë dhe një helikopter i Forcave të Armatosura, ndërsa në Kryezi është përdorur edhe një avion Air Tractor.

Në Dibër, zjarret vijojnë në Vajkal, Lundre–Madhesh, Qafën e Helmes dhe Cerrujë. Vatra në Lundre–Madhesh po mbështetet edhe nga Forcat e Armatosura.

Në Lezhë, aktive mbeten vatrat në Gallatë dhe Kalivaç–Zimaj–Kashnjet. Në këtë të fundit janë angazhuar 63 efektivë dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura. Sipas autoriteteve, nuk raportohen banesa në rrezik.

Në Berat, vijon aktive vatra në Vokopolë, ndërsa zjarri në lagjen Kala është shuar.

Në qarqet e tjera të vendit, disa vatra janë shuar ose ndodhen nën mbikëqyrje, përfshirë ato në Korçë, Elbasan, Vlorë, Durrës, Fier dhe Kukës.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje në çdo zonë ku situata e kërkon. Prioriteti kryesor mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave, pronës dhe mjedisit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme