Bllokimi i pagave të magjistratëve/ Kallëzohet penalisht në SPAK ministri i Financave dhe 14 drejtues të Thesarit

Drejtues të gjykatave të të gjitha niveleve, organizatat e gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë depozituar sot një kallëzim penal në SPAK ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë, Gentian Këri, si dhe 14 përgjegjësve të Degëve të Thesarit në rrethe.
Kallëzimi lidhet me mosdhënien e pagave për magjistratët dhe personelin mbështetës të gjykatave dhe prokurorive për muajin gusht 2026.
Në mesin e kallëzuesve janë drejtues dhe përfaqësues të disa institucioneve të drejtësisë, mes tyre Gjykata Administrative e Apelit, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykata e Posaçme e Apelit. Pjesë e kallëzimit janë edhe drejtuesit e Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve.
Kallëzuesit i kërkojnë SPAK-ut të nisë procedimin penal për tre vepra penale: “Shpërdorimi i detyrës”, “Pengimi i ekzekutimit të vendimeve të gjykatës” dhe “Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës”.
Në dokumentin e dorëzuar në SPAK, ata kërkojnë që të hetohet se kush ka marrë, përcjellë apo zbatuar vendimin që ka çuar në mosdhënien e pagave.
“Kallëzimi paraqitet me qëllim që organi i prokurorisë të identifikojë personin/personat që kanë marrë, transmetuar ose zbatuar vendimmarrjen konkrete që ka sjellë mosekzekutimin e pagave. Ky kallëzim nuk synon zëvendësimin e mjeteve administrative, gjyqësore apo institucionale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me mënyrën e përllogaritjes së pagave dhe as ushtrimin e presionit ndaj ndonjë institucioni shtetëror për një rezultat të caktuar financiar. Qëllimi i tij është vetëm hetimi penal i ligjshmërisë së veprimeve ose mosveprimeve konkrete që kanë sjellë mosekzekutimin e pagave dhe përcaktimi i përgjegjësisë individuale sipas ligjit”, thuhet mes të tjerash në kallëzim.
Ngërçi nisi pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re për pagat e magjistratëve, sipas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë përcaktuan pagën referuese, por Ministria e Financave nuk ka ekzekutuar listëpagesat e përllogaritura me rritje, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit. Për pasojë, pagat e muajit gusht vijojnë të mbeten të bllokuara për gjyqtarët, prokurorët dhe administratën e gjykatave e prokurorive.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




