Hagë/ Prokuroria kërkon 6 vite burg për Hashim Thaçin: Nxori informacione konfidenciale dhe ndikoi te dëshmitarët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar dënime me burgim për pesë të akuzuarit në gjykimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Në fjalën përfundimtare, Prokuroria kërkoi që Hashim Thaçi të dënohet me 6 vite burgim, 3 vite burgim për Bashkim Smakajn, 3 vite për Isni Kilajn, 3 vite për Fadil Fazliun dhe 9 muaj burgim për Hajredin Kuçin.
“Bazuar në të gjitha provat, faktet, Prokuroria kërkon që të merrni një vendim që përputhet me ligjin, provat dhe faktet. Pra, fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës, bazuar në peshën e rëndë të veprave penale dhe tërësinë e faktorëve që merren parasysh në dënimin e zbatueshëm në këtë rast”, deklaroi ZPS-ja në fjalën përfundimtare. Prokuroria përsëriti kërkesën për dënimet konkrete ndaj secilit prej të akuzuarve, duke kërkuar 9 muaj burgim për Kuçin, nga 3 vite për Fazliun, Kilajn dhe Smakajn, si dhe 6 vite burgim për Thaçin.
Sa i përket ish-presidentit të Kosovës, ZPS-ja ka kërkuar për Hashim Thaçin 6 vite burg “që do të vuhet në vijim të ndonjë dënimi që mund të jepet në çështjen 6, nëse do të jepet”.
“Prokuroria kërkon që të jepni një vendim siç është kërkuar; për Kuçin 9 muaj burgim, për Fazliun 3 vjet burg, Kilajn 3 vjet burgim, Smakajn 3 vjet burgim dhe Thaçin 6 vjet burgim, që do të vuhet në vijim të ndonjë dënimi që mund të jepet në çështjen 6, nëse do të jepet”, u shpreh Prokuroria.
Gjatë deklaratave përfundimtare në Hagë, Prokuroria e Specializuar argumentoi se Thaçi dhe bashkëakuzuarit e tjerë kanë ndërhyrë te dëshmitarët dhe janë përpjekur të ndikojnë në dëshmitë e tyre. Prokurori Joshua Hafetz u mbështet në incizime audio dhe dokumente të administruara si prova, duke deklaruar se ato tregojnë, sipas Prokurorisë, përpjekjet për të ndikuar te dëshmitarët. Hafetz tha se në kuadër të çështjes gjyqësore janë pranuar rreth 28 orë incizime të Hashim Thaçit, të realizuara gjatë nëntë vizitave të veçanta, në një periudhë prej katër muajsh. “Bashkë të akuzuarit, shokë të vjetër të Hashim Thaçit, secili prej tyre iu bashkua z. Thaçi në këtë veprim”, deklaroi Hafetz.
Sipas Prokurorisë, qëllimi i Thaçit dhe të bashkëakuzuarve ishte të ndikonin te dëshmitarët e përzgjedhur prej tij.
“Ajo që kishte rëndësi për Thaçin dhe të bashkëakuzuarit është që dëshmitarët që kishte zgjedhur Thaçi për ndërhyrje duhet të thonin dhe të bënin atë që donte Thaçi”, tha prokurori.
Hafetz kritikoi edhe mënyrën se si mbrojtja ka paraqitur argumentet e saj gjatë procesit, duke pretenduar se ajo ka shmangur faktet që, sipas tij, dalin nga materialet e administruara si prova.
“Të gjitha komentet e mbrojtjes që nga fillimi e kanë shmangur realitetin, këtë realitet kaq të thjeshtë. Pra, ta largonin vëmendjen e Gjykatës nga këto fakte që kishte para syve. Me fjalë të tjera, ta shpërqendronin në mënyrë të vazhdueshme Gjykatën. Mbrojtja do që kjo Gjykatë ta fusë kokën në rërë dhe të mos shohë atë që është përpara syve”, u shpreh Hafetz. Ai tha se përmbajtja e incizimeve e bën të pamundur, sipas tij, që faktet të fshihen, pasi veprimtaria për të cilën akuzohet Thaçi është regjistruar brenda qendrës së paraburgimit në Hagë.
“Përmbajtja e incizimeve është tronditëse për Thaçin dhe bashkë të akuzuarit. Arsyeja është se vizitë pas vizite, Thaçi ka folur me një zë normal për temat e përditshme dhe më pas e ulte zërin dhe pëshpëriste për të dhënë udhëzime konkrete se çfarë duhet të iu thonin vizitorët dëshmitarëve. Këtë e ka bërë me muaj të tërë dhe udhëzimet e tij e kishin një praktikë të ngjashme; për të zbehur akuzat në çështjen 06”, deklaroi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




