Ferit Hoxha kërkon anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut për sigurinë rajonale dhe euroatlantike

Politikë | 2 orë më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka theksuar rëndësinë e Kartës së Adriatikut si një shtyllë e sigurisë rajonale dhe bashkëpunimit euroatlantik, më shumë se dy dekada pas krijimit të saj.

Në takimin e ministrave të Jashtëm të Kartës së Adriatikut, zhvilluar në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe nën kryesinë e Kroacisë, Hoxha theksoi se Karta, e krijuar më shumë se dy dekada më parë, mbetet një shtyllë e rëndësishme e bashkëpunimit dhe stabilitetit në rajon.

Siguria sot shkon përtej kërcënimeve konvencionale. Për t’u përballur me sfidat e kohës, nga kërcënimet kibernetike dhe siguria energjetike te manipulimi dhe ndërhyrja e informacionit të huaj (FIMI), duhet të vazhdojmë forcimin e relevancës dhe efektivitetit të Kartës, ashtu siç duhet të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin rajonal në tërësi,” – deklaroi Hoxha.

Ai theksoi se siguria në Ballkanin Perëndimor kërkon më shumë se qëndrueshmëri, duke nënvizuar se për stabilitet të qëndrueshëm nevojitet përfshirje e plotë e vendeve dhe shoqërive të rajonit në kuadrot e bashkëpunimit dhe përgjegjësisë së përbashkët.

Stabiliteti i qëndrueshëm mund të arrihet vetëm kur të gjitha vendet dhe shoqëritë e rajonit janë të integruara plotësisht në kuadrot e bashkëpunimit, sigurisë dhe përgjegjësisë së përbashkët që mbështesin të ardhmen tonë të përbashkët,” – u shpreh ministri.

Në këtë kontekst, Hoxha rikujtoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Kartën e Adriatikut ka mbetur pezull për një kohë të gjatë.

Aplikimi i Kosovës ka qenë i pezulluar për shumë kohë. Avancimi i këtij procesi do të forconte kohezionin rajonal dhe do të rrite kapacitetin tonë kolektiv për të adresuar sfidat e përbashkëta të sigurisë,” – theksoi ai.

Ministri Hoxha përmbylli fjalën e tij duke nënvizuar se një Kartë Adriatike e hapur, e përshtatshme, më e fortë dhe më gjithëpërfshirëse është garanci për një Ballkan Perëndimor më të sigurt dhe mbetet thelbësore për të ardhmen e përbashkët euroatlantike.

 

  •  

     


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Të ngjashme