15% e të rinjve preken nga infarkti akut, Dr.Shuka: Të rinjtë, më shumë spazma koronare, enë të dëmtuara dhe fenomene embolike

Shëndet | 2 orë më parë

Tashmë infarkti akut i miokardit në persona shumë të rinj është bërë fatkeqësisht shumë i shpeshtë. Mjekët e konfirmojnë. Në klinikat  kardiologjisë së QSUT, po shihen gjithnjë e më shumë të rinj që zënë shtretërit.

10–15% e të gjithë të sëmurëve me infarkt përbëjnë këto mosha të reja, nën moshën 45 vjeç, një shifër që sa vjen dhe shtohet. Ka studime që shkojnë deri në 25%, në varësi edhe të popullatës”, u shpreh kardiologu.

Kardiologu Naltin Shuka tregon së ndryshe nga popullata e përgjithshme, tek të rinjtë faktorët e rrezikut janë pak më specifik.

Por është e vërtetë, në moshat e reja dominojnë, për shembull, te arteriet e zemrës, spazmat koronare; dominojnë fenomenet embolike, fenomene që kanë të bëjnë me tromboza për shkaqe të ndryshme, edhe hereditare, të trashëgueshme. Fenomenet e anomalive koronare, pra enët e gjakut të zemrës që kanë anomali koronare, sigurisht që do të shprehen në një moshë më të re dhe mund të çojnë deri në infarkt”, tha Shuka.

Duke qenë të rinj, neglizhencën e shoqërojnë me fjalinë “nuk kam asgjë” por dr. Shuka tregon  shenjat që duhet të na vënë në lëvizje.

Çdo dhimbje e gjoksit nuk duhet neglizhuar. Çdo shenjë e papritur, për shembull, edhe një vështirësi në frymëmarrje te një person i moshës së re, që nuk pritet t’i ndodhë, duhet të paraqitet te mjeku. Duhet të paraqitet patjetër në urgjencë”, tha ai.

Ka raste që një infarkt i zemrës nuk arrin në kohë në spital por mjekët sqarojnë se  kapja në kohë është përmirësuar.

Te Qendra Spitalore Universitare është 24 orë që ofrojmë shërbim urgjence, 24 orë, shtatë ditë të javës. Po tashmë edhe në shërbimin e kardiologjisë në Memorial ka ditë të caktuara, tre ditë në javë, që ofrojnë shërbim urgjence. Sepse, në qoftë se flasim për infarkte, duhet të ofrosh shërbim urgjence”, theksoi kardiologu.

Zemra po sëmuret herët tek të rinjtë dhe përveç impaktit që ka mënyra se si ata jetojnë nuk duhet harruar edhe trashëgimia ku nëse një person i familjes është prekur më herët në moshë të re, rreziku tek pasardhësit shumëfishohet.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme