Protestat në Nju Jork, Edi Rama: S’më ndalin vezët dhe balta, flamuri shqiptar do vendoset majë Europës së Bashkuar  

Politikë | 1 orë më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke iu drejtuar kritikëve që protestuan me flamurin kombëtar në Nju Jork duke theksuar se ata “mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike”.

Ai shkruan në reagimin e tij “atë flamur e kam ngritur më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës”.

Rama u është drejtuar gjithashtu atyre që, sipas tij, “kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë” në misionin e tij për ta çuar flamurin shqiptar “në majën e Europës së Bashkuar”.

Kryeministri ka vlerësuar se “për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi”, duke e konsideruar këtë arritje si rezultat të drejtpërdrejtë të misionit të tij dhe të Partisë Socialiste.

Në vazhdim të reagimit, kryeministri ka komentuar edhe mbi akuzat e vazhdueshme për korrupsion, duke i quajtur “bomba çudibërëse” që amplifikohen “ditë e natë”.

Sipas tij, “në një vend që është i mbytur në kënetën e korrupsionit, nuk ka luftë frontale e as rezultate konkrete kundër korrupsionit” – një realitet që, thekson ai, Shqipëria e ka jetuar deri kur qeveria e tij “e kthyem rrotën e drejtësisë nga barazia e të gjithëve para ligjit”.

Rama ka nënvizuar se sot Shqipëria “nuk është më ai vend” dhe se Bashkimi Evropian e çmon gjithnjë e më shumë vendin për këtë luftë. Ai ka kritikuar ashpër “pulat histerike të katundit tonë” që, sipas tij, “kakarisin e hedhin vezë në ajër për llogari të gjelave tallagjarë të pazarit politik e mediatik”.

Postimi i plotë:

Këtyre që mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike, u them vetëm se atë flamur e kam ngritur më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës. Kurse atyre që kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë, në misionin tim për ta çuar flamurin tonë në majën e Europës së Bashkuar, u them se nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, kjo është një arritje e madhe që nuk ka rënë nga qielli po ka ardhur pikërisht si një nga rezultatet e këtij misioni!

Dhe le ta dëgjojnë e ta mbajnë mirë vath në vesh meqë kujtojnë se mposhtem unë dot me “bombat çudibërëse” që amplifikojnë në kupë të qiellit ditë e natë fjalën korrupsion:

Në një vend që është i mbytur në kënetën e korrupsionit, nuk ka luftë frontale e as rezultate konkrete kundër korrupsionit dhe atë vend e kemi jetuar ne, që të gjithë, deri kur unë me partinë time e kthyem rrotën e drejtësisë nga barazia e të gjithëve para ligjit!

Sot Shqipëria nuk është më ai vend e prandaj edhe Bashkimi Europian e çmon gjithnjë e më shumë Shqipërinë për këtë luftë, ndërkohë që pulat histerike të katundit tonë kakarisin e hedhin vezë në ajër për llogari të gjelave tallagjarë të pazarit politik e mediatik, të cilët i gënjen mendja sa një vezë, se do të më ndalin mua me llogjet e pafundme për korrupsionin që po luftohet nga vetë sistemi që po ndërtojmë, apo me sharjet e mallkimet folklorike si të këtij sqepit bashkëngjitur, që e shkruan shqipen me këmbët e pulës.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme