Model i ri menaxhimi për Urgjencën Polivalente në QSUT, Spahiu: Synojmë rritjen e eficiencës

Shëndet | 1 orë më parë

Në Urgjencën Polivalente të QSUT-së po zbatohet një model i ri menaxhimi dhe funksionimi, me synim rritjen e eficiencës, koordinimit të ekipeve dhe përgjigjes në kohë ndaj pacientëve.

Si porta e parë për rastet që kërkojnë kujdes të menjëhershëm, kjo strukturë ka ofruar shërbim për rreth 91 mijë pacientë vetëm gjatë periudhës janar–shtator 2026.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë inspektimit të punimeve, u shpreh se organizimi i ri i proceseve dhe triazhimi i domosdoshëm do të lehtësojnë fluksin e pacientëve dhe do të rrisin performancën e urgjencës.

“Më vjen mirë që në një kohë të shkurtër keni arritur ta organizoni punën. Përveç faktit që duhet të lehtësojmë shërbimin dhe të kemi triazhimin që është i domosdoshëm, duhet të ndërgjegjësojmë më shumë qytetarët që rastet që nuk janë urgjente të zgjidhen nga mjeku i familjes Nëse triazhimi bëhet siç duhet dhe kemi koordinim me spitalet rajonale për rastet që nisen drejt qendrës terciare, atëherë do të arrijmë objektivin tonë për të pasur performancë sa më të mirë në Urgjencën e QSUT-së.”

Ajo theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve që rastet jo emergjente të trajtohen nga mjeku i familjes, si dhe koordinimin me spitalet rajonale për menaxhimin e rasteve drejt qendrës terciare.

Drejtoresha e QSUT-së, Rudina Degjoni, deklaroi se kjo është urgjenca e rikonceptuar për t’i dhënë më shumë hapësirë dhe lehtësi pacientëve. Në këtë strukturë, pacientëve u bëhet triazhi i parë dhe kalimi sipas kodeve të urgjencës: i bardhë, i verdhë dhe i kuq, në varësi të gjendjes shëndetësore.

“Kjo është urgjenca që e kemi rikonceptuar për t’i dhënë më shumë lehtësi pacientëve dhe më shumë hapësirë. Në këtë vend pacientit do t’i bëhet triazhi i parë dhe kalimi sipas kodit; kodi i bardhë, kodi i verdhë dhe kodi i kuq, në pjesën e observimit.”

Sipas saj ky model i ri synon jo vetëm përmirësimin e cilësisë së shërbimit, por edhe krijimin e një sistemi më efikas e të koordinuar për menaxhimin e rasteve emergjente në QSUT.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme