Situata në vend dhe vizita në SHBA, Rama mesazh sot shqiptarëve nga aeroporti “Nënë Tereza”

Politikë | 48 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama pritet t’u drejtohet sot shqiptarëve me një mesazh nga salla e shtypit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, menjëherë pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rama përfundoi vizitën 6-ditore në SHBA, ku mori pjesë në punimet e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork

Mesazhi i Ramës pritet të fokusohet te situata në vend, pas nisjes së hetimeve të SPAK ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, e cila ndodhet në “arrestit shtëpie”.

Pas nisjes së hetimeve nga SPAK, Rama reagoi nga Nju Jorku ku liroi nga detyra Vlora Hysenin, ndërsa shtoi se “sapo të kthehet nga SHBA në konsultim me presidentin Bajram Begaj do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”.

Në fokus pritet të jetë edhe vizita e tij në SHBA, ku mori pjesë në punimet e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Vizita e kryeministrit në SHBA filloi me një takim me komunitetin shqiptar në Michigan, ku ai njoftoi planin për hapjen e një konsullate shqiptare dhe krijimin e Regjistrit Kombëtar të Diasporës.

Në Nju Jork, Rama mori pjesë në aktivitete të tjera me komunitetin shqiptaro-amerikan, ndërsa në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së u ndal te inteligjenca artificiale, integrimi europian dhe roli i Shqipërisë në skenën ndërkombëtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme