Shërbimi i fizioterapisë në Kukës, këtë vit ka pasur rritje të numrit të pacientëve

Shëndet | 2 orë më parë

Shërbimet fizioterapeutike në Spitalin Rajonal të Kukësit po marrin gjithnjë e më shumë kërkesë nga pacientët. Sipas të dhënave krahasuar me një vit më parë, numri i pacientëve që i janë drejtuar shërbimit është rritur me rreth 80 deri në 90 persona.

“Jam ndërgjegjësuar se fizioterapia është një shërbim shumë ndihmues në përmirësimin e jetës së përditshme, në rikthimin e lëvizjeve, në çlirimin e kontraktimeve muskulare, në problemet traumatizmale dhe në problemet neurologjike. Për pasojë, numri është në rritje”, tha Fizioterapistja Barie Kastrati.

Fizioterapistja thotë se një pjesë e pacientëve paraqiten për trajtim vetëm pasi simptomat janë përkeqësuar. Sipas saj, vonesa në kërkimin e ndihmës profesionale mund ta bëjë më të vështirë procesin e rikuperimit dhe trajtimin fizioterapeutik.

“Vijnë pasi janë shfaqur problemet. Në fakt, po të jemi të kujdesshëm ose të kemi pak më shumë informacion, trupi reagon me sinjale shumë përpara se të fillojë dhimbja”, tha ajo.

Një ndër elementët e rëndësishëm, thekson Kastrati, është që pacientët t’i drejtohen fillimisht mjekut specialist për vlerësim dhe përcaktimin e diagnozës.

Sipas fizioterapistes, marrja e shërbimit në kohë dhe ndjekja e rregullt e trajtimit janë të rëndësishme për një proces më të mirë rikuperimi. Ndërkohë, rritja e numrit të pacientëve që kërkojnë këtë shërbim tregon edhe për një kërkesë në rritje për fizioterapinë në zonën e Kukësit.

Gazetare: Shkurte Elezaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme