Samiti i Turizmit, Rama: Shqipëria po i tregon botës se kush është, përtej stereotipeve. Vitin e kaluar përfunduam me afro 12 milionë të huaj
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Samitin e Euronews 2026, ku ka folur për zhvillimin e turizmit, investimet dhe potencialin e Shqipërisë për t’u konsoliduar si një nga destinacionet kryesore turistike në rajon. Gjatë diskutimit, Rama u shpreh se Shqipëria tashmë është kthyer në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar nga turistët e huaj, duke theksuar ndryshimin e perceptimit për vendin në arenën ndërkombëtare.
“Sepse të gjithë po vizitojnë Shqipërinë. Nëse nuk viziton Shqipërinë, je një nga të paktët që nuk e viziton Shqipërinë”, tha Rama.
Kryeministri argumentoi se vendi ndodhet sot në një situatë krejtësisht të ndryshme nga e kaluara dhe se rritja e turizmit po ndihmon në ndryshimin e imazhit të Shqipërisë jashtë kufijve. I pyetur nëse Shqipëria ka një treg të veçantë që synon, Rama tha se objektivi i vendit është zgjerimi i mëtejshëm në tregun global.
“Jemi në një situatë krejtësisht ndryshe. Tashmë mund t’i tregojmë botës se cilët jemi në të vërtetë, përtej stereotipeve që na kanë përndjekur për një kohë të gjatë. Kur Kroacia ishte destinacion për shumë europianë, ne ishim vendi më i izoluar në Europë. Ishim Koreja e Veriut e Europës. Pasi dolëm nga ai ferr, u përballëm me stereotipe shumë shqetësuese. Synimi ynë është bota”, u shpreh ai.
Rama theksoi se zhvillimi i turizmit në Shqipëri po bëhet mbi bazën e një plani, por sipas tij, ndryshimi i imazhit të një vendi kërkon më shumë se një strategji promovimi. Duke folur për avantazhet që Shqipëria ofron për turistët, kryeministri veçoi klimën, gastronominë, mikpritjen dhe larminë e peizazheve natyrore.
“Ka një plan. Ne po punojmë në bazë të një plani, por ajo çfarë kam mësuar nga e gjithë kjo betejë është që, në fund të fundit, nëse do të ndryshosh emrin, duhet të ndryshosh vetveten. Është një prej vendeve më të sigurta në Europë. Një vend ku cilësia e diellit është shumë më e lartë se e Brukselit. Kemi ushqim të shijshëm, njerëz mikpritës dhe, në një hapësirë mjaft të vogël, kemi dy dete, nëntë lumenj dhe të gjitha llojet e maleve”, u shpreh ai.
Sipas Ramës, kjo larmi i jep Shqipërisë mundësinë që turistët të përjetojnë eksperienca të ndryshme brenda një periudhe të shkurtër. Rama tha gjithashtu se është veçanërisht e rëndësishme rritja e interesit nga turistë të tregjeve të reja, duke përmendur edhe turistët spanjollë.
“Ka kaq shumë larmi saqë brenda një jave mund të përjetosh shumë gjëra. Jemi shumë të lumtur të shohim turistë spanjollë që vijnë dhe duan të rikthehen”, deklaroi ai.
Duke iu referuar zhvillimit të turizmit ndër vite, Rama tha se Shqipëria ka kaluar një transformim të rëndësishëm sa i përket numrit të vizitorëve të huaj. Kryeministri kujtoi se kur nisi ajo që ai e cilësoi si “udhëtim transformues” i turizmit shqiptar, vendi regjistronte rreth 2 milionë turistë.
“Objektivi ynë është bota. Po zbulojmë se të gjitha pjesët e botës po marrin pjesë në këtë rritje. Kur nisëm këtë udhëtim transformues, numëronim 2 milionë turistë. Kjo shifër përfshinte dhe zyrtarët që bënin numërimin”, tha ai. Rama përmendi më tej shifrat e vitit të kaluar, duke deklaruar se Shqipëria e përfundoi vitin me afro 12 milionë vizitorë të huaj, nga tregje të ndryshme ndërkombëtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




