“Zgjasin deri në 2 javë, simptomat rikthehen”, mjekët: Po qarkullojnë COVID, viroza dhe infeksione të tjera

Shëndet | 1 orë më parë

Menduat se e latë pas virozën? Temperatura rikthehet, kolla vazhdon dhe lodhja nuk largohet. Në këtë fillim sezoni, mjekët raportojnë shtim të rasteve me viroza të ndryshme, përfshirë edhe COVID-in, por thonë se kjo është e pritshme për periudhën. Ajo që po vihet re në shumë është kohëzgjatja e simptomave.

“Janë viroza të kombinuara. Virozat që prekin, afektojnë rrugët e sipërme respiratore, qoftë katarret e thjeshta, mund të kenë qenë raste të dyshuara për COVID, jo të vërtetuara në ekzaminime laboratorike. Ajo që vëmë re është kohëzgjatja. Kemi një kohëzgjatje të shenjave deri në dy javë”, tha Bruna Shiroka – Drejtore, QSH. 3.

Format e rënda, thotë Dr. Bruna Shiroka, zgjasin pak, 5-7 ditë, për shkak të ndërhyrjes që bën mjeku nga klinika e rëndë. Rastet e lehta zgjasin, por simptomat sillen ndryshe.

“Persiston temperatura 37.2, është një temperaturë që ka një reagim subjektiv më të shprehur sesa një temperaturë e lartë, sepse shkakton një lodhje, një dobësi të përgjithshme, djersitje të shtuar dhe të zgjatur, anoreksi; janë shenja që impaktojnë përditshmërinë e pacientit”, tha ajo.

Mund të infektohesh nga disa viroza dhe imuniteti të të bjerë ndjeshëm, ndaj kujdes me komplikacionet pas infektimeve.

“Rinisja e një temperature në harkun kohor tre, katër, pesë ditë pas fillimit të virozës flet për një fillim të një komplikacioni. Pacienti ka një kollë të shtuar, ka ndjesinë e lodhjes, shpeshherë ka dispne, kemi pasur raste ku kemi pasur kompromentime edhe të frymëmarrjes. Pra, nëpërmjet toksimetrit kemi vërë shumë herë raste, sidomos në rastet e dyshuara me COVID, që kemi pasur edhe kompromentim të të shprehur të frymëmarrjes”, nënvizoi ajo.

Virusi i gripit ende nuk është izoluar nga ISHP, por mjekët e qendrave shëndetësore thonë se koha për vaksinim ka ardhur.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme