Shqipëria zgjeron vaksinimin kundër HPV-së dhe gripit, Spahiu: Forcojmë mbrojtjen ndaj sëmundjeve infektive
Në kuadër të forcimit të Programit Kombëtar të Vaksinimit dhe politikave të parandalimit, Shqipëria kalon nga vaksina HPV 4-valente në vaksinën HPV 9-valente, duke zgjeruar ndjeshëm mbrojtjen ndaj tipeve të virusit HPV që lidhen me zhvillimin e lezioneve prekanceroze, kancerit të qafës së mitrës dhe kancereve të tjera të shkaktuara prej tij.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë vizitës në Institutin e Shëndetit Publik, ku u prezantua kalimi në vaksinën HPV 9-valente, e cilësoi këtë një hap të rëndësishëm në fuqizimin e parandalimit dhe mbrojtjen afatgjatë të shëndetit të fëmijëve.
Duke nënvizuar rëndësinë e vaksinimit në parandalimin e sëmundjeve të shkaktuara nga HPV, ministrja Spahiu u bëri thirrje prindërve që të vaksinojnë fëmijët e tyre në moshën e rekomanduar.
“Këto vaksina janë të certifikuara dhe përdoren edhe në vendet e Bashkimit Europian. Janë të sigurta, ndaj u bëj thirrje të gjithë prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre 13-vjeçarë, si një nga masat më të sigurta për parandalimin e kancereve të shkaktuara nga HPV”, apeloi ministrja Spahiu.
Që nga nisja e programit të vaksinimit kundër HPV-së në Shqipëri janë administruar gjithsej 60 180 doza të vaksinës HPV 4-valente. Kalimi në vaksinën 9-valente zgjeron spektrin e mbrojtjes, duke mbuluar më shumë tipe të HPV-së të lidhura me sëmundje prekanceroze dhe kancere.
Paralelisht, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë marrë masat për nisjen e vaksinimit kundër gripit sezonal. Për sezonin e ri janë siguruar 280 mijë doza vaksine, të cilat do të ofrohen falas për grupet prioritare në të gjithë vendin, me synim mbrojtjen e personave më të rrezikuar nga format e rënda dhe komplikacionet e gripit.
Vaksinimi dhe programet e parandalimit mbeten ndër instrumentet kryesore të politikave të shëndetit publik, me fokus uljen e barrës së sëmundjeve të parandalueshme, mbrojtjen e grupeve më të rrezikuara dhe forcimin e kujdesit shëndetësor të orientuar drejt parandalimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.









