Berisha nga Strasburgu: Demokracia në Shqipëri është në agoni

Politikë | 1 orë më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përmes një videomesazhi nga Strasburgu, ku po merr pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ka denoncuar situatën në Shqipëri dhe ka ngritur akuza të rënda ndaj qeverisë së Edi Ramës.

Në qendër të deklaratës së tij ka qenë denoncimi i atyre që ai i quan “narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë”, të ndërtuar, sipas tij, nga qeveria Rama. Berisha e lidhi këtë situatë me pasoja të rënda në ekonomi, bujqësi, industri dhe me krizën demografike që po përjeton vendi.

Ai deklaroi se Shqipëria është eksportuesi kryesor i kanabisit drejt Europës, ndërsa klanet shqiptare janë transportues kryesorë të kokainës nga Amerika Latine dhe kontrollues të tregut europian.

Në këtë kuadër, kryetari i PD-së bëri thirrje për mbështetjen e institucioneve europiane në luftën kundër këtij fenomeni, duke e cilësuar si rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin dhe më gjerë.

“Gjatë qëndrimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, por qëndrimi im më kryesor ka qenë në denoncimin e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, që ka ndërtuar Edi Rama në Shqipëri gjatë këtyre viteve, pasojat shkatërrimtare të këtij narkoshteti mbi ekonominë e vendit, zhvlerësimin dramatik të euros dhe dollarit, rënien masive të prodhimit industrial dhe prodhimit bujqësor dhe shokun e tmerrshëm demografik të paprecedent në historinë e Shqipërisë në shekuj. Shqipëria është eksportuesi kryesor i kanabisit në Europë, klanet shqiptare janë transportues kryesorë të kokainës nga Amerika Latine dhe kontrollues të tregut europian.

Në këtë kuadër, unë bëra thirrje për mbështetje nga ky institucion në luftën kundër narkoshtetit në Shqipëri, i cili përbën rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por për rajonin dhe më gjerë”, thekson Berisha.

Berisha u ndal edhe te zhvillimet në Serbi, duke kritikuar përdorimin e figurës së Ratko Mlladiçit në fushatën politike krah presidentit Aleksandër Vuçiç. Ai e cilësoi këtë si fyerje të rëndë ndaj qytetërimit botëror dhe rrezik për stabilitetin e rajonit, duke kërkuar sanksione të qarta ndaj Serbisë në raport me Këshillin e Europës.

“Në qëndrimin tim, një vend të rëndësishëm kanë patur edhe diskutimet lidhur me faktin se sot në Beograd fantazmat e Ratko Mlladiç po bëjnë fushatë krah patronit të Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç, dhe kjo përbën një fyerje, një rrezik të madh për rajonin, një fyerje të rëndë për mbarë qytetërimin botëror.

Kërkova dhe do insistoj që sanksione të qarta të vendosen ndaj Serbisë në raport me Këshillin e Europës, mbasi ky akt vjen në kundërshtim flagrant me të gjitha parimet themelore. Ratko Mlladiç është orkestruesi dhe kryeautor i gjenocidit më të madh pas Luftës së Dytë Botërore në Srebrenicë, ai ka kryer krime të rënda në Kroaci dhe në zona të tjera dhe tani bën fushatë përkrah Aleksandër Vuçiçit fshatrat dhe qytetet e Serbisë”, tha më tej Berisha.

Në përmbyllje të videomesazhit, kryetari i Partisë Demokratike deklaroi se “demokracia në Shqipëri është në agoni”, ndërsa akuzoi qeverinë se po konsolidon një sistem autoritar të mbështetur te krimi, droga dhe korrupsioni.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme