PD kërkon mocion për ish-drejtoren e SHISH, Balla: Kuvendi s’mund të zëvendësojë SPAK-un. Hetimet t’i lihen drejtësisë

Politikë | 2 orë më parë

Çështja e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, është bërë pjesë e debatit në Konferencën e Kryetarëve, pas kërkesës së Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat në Kuvend. Kërkesa e opozitës lidhet me përgjegjësitë institucionale për emërimin, ushtrimin e detyrës, mbikëqyrjen dhe largimin e ish-drejtores së SHISH-it. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se mocioni i kërkuar nga opozita nuk synon të ndërhyjë në hetimet e Prokurorisë së Posaçme, por të trajtojë përgjegjësitë që i takojnë institucioneve dhe Kuvendit në kuadër të kontrollit parlamentar.

Ai kërkoi që në Kuvend të diskutohet roli i institucioneve përgjegjëse për sigurinë dhe funksionimin e SHISH-it, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e emërimit dhe mbikëqyrjes së ish-drejtores. Ai kërkoi që në Kuvend të diskutohet roli i institucioneve përgjegjëse për sigurinë dhe funksionimin e SHISH-it, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e emërimit dhe mbikëqyrjes së ish-drejtores.

“Mendoj se parafolësi është i lumtur për këtë çështje. Sepse ka arsye të jetë i lumtur për zhvillimet e fundit dhe arsyet dihen. Por, me sa kuptoj, lumturinë e tij ia prish halli i Edi Ramës dhe bëhet edhe ai i palumtur kot, sepse unë besoj që ka arsye të gëzohet. Së dyti, mocioni për debat që kërkon opozita nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë po bën prokuroria. Nuk ka asnjë rresht në kërkesën tonë për zhvillimin e mocionit që i referohet hetimeve të prokurorisë. Por ne jetojmë në Shqipëri, ka një akt të Kryeministrit dhe të Presidentit që ka dekretuar shkarkimin e shefes së Shërbimit Informativ Shtetëror, sepse, sipas informacioneve, aq sa ç’kanë rrjedhur nga hetimet e prokurorisë, rezulton që të ketë ndihmuar një person në kërkim nga drejtësia dhe ta ketë furnizuar atë me informacione të klasifikuara dhe bëhet fjalë për një person, kreun e një grupi të strukturuar criminal. Dhe ju keni bërë një qasje: institucionit, institucionit, institucionit! Cilët institucione? Institucionet që janë përgjegjëse për situatën. Po ç’hyn SPAK-u te kërkesa jonë për mocion me debat? Ne kemi kërkuar mocion me debat. Ç’punë kemi ne me SPAK-un? SPAK-u është duke e bërë punën e vet dhe, po të duam ne ta ndalojmë, nuk e ndalojmë dot! Po të doni ju, domethënë.”, tha Bardhi.

Ky i fundit deklaroi se, sipas informacioneve të bëra publike në lidhje me hetimet, ish-drejtoresha e SHISH-it dyshohet se ka ndihmuar një person të kërkuar nga drejtësia dhe se i ka siguruar atij informacione të klasifikuara. Ai e cilësoi këtë si një çështje me rëndësi për sigurinë kombëtare dhe kërkoi që Kuvendi të ushtrojë funksionin e tij të kontrollit.

“Vlorën e ka emëruar Edi Rama. Duhet të vijë të japë llogari Edi Rama. Dhe Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të lejohet të ushtrojë funksionet e veta. Ju nuk njihni sigurinë kombëtare. Ju njihni sigurinë e Gysit. Ne themi: hajde e flasim për sigurinë kombëtare. Ju thoni jo! Sigurinë kombëtare ia kemi besuar Gysit. Nxirrni Gysin nga burgu dhe mërojeni nënkryetar, dhe e plotësoni këtë gjë. I jepni zgjidhje! Kryeministër, të vijë dhe të ma thotë cili shërbim i huaj ia kërkoi Vlora Hysenin në krye të SHISH-it. Sepse mund të jetë edhe shërbimi informativ serb. Prandaj do të duhet të vijë ta thotë këtu cili shërbim”, deklaroi Bardhi.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh se hetimet për ish-drejtoren e SHISH-it duhet t’u lihen organeve të drejtësisë. Balla tha se çdo dyshim i ngritur nga organi i akuzës duhet të hetohet dhe të zbardhet nga SPAK, pa ndërhyrje apo mbivendosje nga institucionet e tjera. Ai theksoi se pafajësia ose fajësia e një zyrtari duhet të përcaktohet nga prokuroria dhe gjykata, ndërsa shtoi se mazhoranca nuk do të ndërhyjë në çështjet që janë nën hetim.

“Sipas jurisprudencës së konsoliduar tanimë të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi nuk mund të përdorë instrumentet e kontrollit parlamentar për të dubluar ose zëvendësuar kompetencat e prokurorisë, për të verifikuar prova, për të përcaktuar fakte penale apo përgjegjësi individuale. Asnje instrument kontrolli parlamentar, nga mocioni me debat deri tek komisioni hetimor parlamentar, nuk mund ta zëvendësojë, ta ndikojë, ta kushtëzojë apo pengojë hetimin e plotë dhe të pavarur nga prokurorët e SPAK. Dua të ripërsëris këtu se çdo sulm personal ndaj prokurorëve të SPAK, të cilët meritojnë respekt për punën e tyre, duhet të ndalet. Rituali i turpit në dy të hëna të muajit nga një i pandehur para dyerve të SPAK, duhet të ndalet. Forca politike, brenda së cilës militon ky person, duhet ta bëjë debatin e parë brenda vetes për këtë çështje.

Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye. Qëndrimi ynë mbetet ai që kemi thënë ditën e parë të Reformës në Drejtësi: Pafajësia ose fajësia e një zyrtari, edhe pse i propozuar, mbështetur apo votuar prej nesh, i vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë, deklaroi Balla.

Sipas Ballës, shkarkimi i menjëhershëm i ish-drejtores së SHISH-it nga detyra është dëshmi e qëndrimit të mazhorancës për të mos mbrojtur zyrtarët që përballen me drejtësinë.

“Shkarkimi i menjëhershëm dje nga detyra i drejtores së shërbimit ishte pikërisht shembulli i kësaj qasje nga ana jonë. Ndërkohë që të gjitha institucionet që ngarkon ligji: Kryeministri → varësia institucionale; Komisioni i Kuvendit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes → mbikëqyrja parlamentare; Presidenti → raportim + kompetenca mbi drejtimin; Inspektori i Përgjithshëm → inspektim i veprimtarisë; KLSH/Auditimi → kontroll financiar; Prokuroria/Gjykata → kontroll ligjor/judicial në fushat përkatëse”, deklaroi Balla.

Në fjalën e tij, Balla renditi edhe institucionet që, sipas tij, kanë role të ndryshme në mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimtarisë së SHISH-it, përfshirë Kryeministrin, Kuvendin, Presidentin, Inspektorin e Përgjithshëm dhe institucionet e kontrollit financiar e gjyqësor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme