“Tetori Rozë”, Spahiu: 50 mijë gra të depistuara për kancerin e gjirit deri në 2030

Sociale | 2 orë më parë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, përmes një videomesazhi në Facebook, ka bërë thirrje për kontrolle të rregullta për kancerin e gjirit, në nisje të fushatës ndërkombëtare të ndërgjegjësimit “Tetori Rozë”. Spahiu theksoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, duke u bërë apel grave që të mos e shtyjnë kryerjen e kontrolleve.

“Kontrolli është dashuri për veten. Kanceri i gjirit, kur zbulohet në fazat e hershme, ka mundësi shumë më të mëdha për trajtim të suksesshëm. Prandaj, u bëj thirrje të gjitha grave të mos e shtyjnë kontrollin. Një kontroll mund të duket si një hap i vogël, por mund të bëjë një ndryshim të madh”, u shpreh ministrja.

Ajo bëri të ditur se forcimi i depistimit dhe diagnostikimit të hershëm është pjesë e Planit Kombëtar të Kontrollit të Kancereve, me objektivin që deri në fund të vitit 2030 të jenë depistuar 50 mijë gra.

“Ky angazhim nuk është vetëm për muajin tetor. Në zbatim të Planit Kombëtar të Kontrollit të Kancereve, synojmë që deri në fund të vitit 2030 të arrijmë 50 mijë gra të depistuara, duke zgjeruar aksesin dhe duke forcuar hap pas hapi parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm”, deklaroi Spahiu.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, incidenca e kancerit të gjirit te gratë ka vijuar të rritet. Incidenca e standardizuar është rritur nga 55.8 raste për 100 mijë gra në vitin 2021, në 64.1 raste në vitin 2025. Ndërkohë, mortaliteti i standardizuar ka shënuar rënie, nga 18 raste për 100 mijë gra në vitin 2021, në 16.1 raste në vitin 2025.

Vetëm gjatë vitit 2025, në sistemin shëndetësor shqiptar u diagnostikuan 829 raste të reja me kancer gjiri, ndërsa 77.1% e rasteve i përkisnin grupmoshës mbi 50 vjeç.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme