“Si ne të dy” shfaqet në Ersekë shfaqja vendos në qendër marrëdhënien e një çifti

Kulturë | 2 orë më parë

Komedia e zezë “Si ne të dy” është shfaqur në Ersekë, me interpretimin e Luiza Xhuvanit dhe Alfred Trebickës, nën regjinë e Violeta Trebickës.

E bazuar në veprën “Lojë martese” të dramaturgut amerikan Edward Albee, shfaqja vendos në qendër marrëdhënien e një çifti dhe përballjen e tij me krizat, zhgënjimet dhe të pathënat e një jete së bashku.

Humori i zi ndërthuret me tensionin dhe emocionin, ndërsa dy personazhet përballen me njëri-tjetrin dhe me historinë e marrëdhënies së tyre. Përmes dialogut dhe situatave të krijuara në skenë, vepra sjell reflektim mbi komunikimin, konfliktet dhe dinamikat brenda një marrëdhënieje.

“Unë ndihem shumë mirë dhe jam shumë i kënaqur që kishte goxha spektatorë dhe e gjithë vepra u ndoq me shumë interes. Pra, u arrit që të përcilleshin ato ide, ato mesazhe, ai emocion, domethënë ajo dinamikë që ka vepra, e cila e ka si më të brendshme sesa të jashtme, dhe që të përcillej edhe te publiku”, u shpreh aktori, Alfred Trebicka.

Publiku i Ersekës e ndoqi shfaqjen me interes, duke reaguar ndaj momenteve humoristike, përplasjeve mes personazheve dhe pjesëve më emocionale të saj. Përmes interpretimit të dy aktorëve, “Si ne të dy” solli një histori që, përtej humorit, fton publikun të reflektojë mbi marrëdhëniet njerëzore, ato që thuhen dhe ato që mbeten të pathëna.

Gazetare: Xh. Lazi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme