200 familje kujdestare për fëmijët pa kujdes prindëror, Spahiu: Nga institucionet drejt kujdesit në familje

Politikë | 2 orë më parë

Fëmijët që nuk mund të qëndrojnë përkohësisht pranë familjes biologjike do të kenë më shumë mundësi për t’u sistemuar në një mjedis familjar, në kuadër të reformës për kujdesin alternativ.

Këshilli i Ministrave ka miratuar katër akte nënligjore që përcaktojnë mënyrën se si do të funksionojë sistemi i familjeve kujdestare profesionale, nga përzgjedhja dhe trajnimi i tyre deri te certifikimi dhe monitorimi gjatë periudhës së kujdesit ndaj fëmijës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë një vizite në Qendrën Speciale për Fëmijët 4–14 vjeç, tha se objektivi është kalimi gradual nga kujdesi institucional drejt atij familjar.

Sipas paketës së re, në të gjithë vendin synohet krijimi i një rrjeti prej rreth 200 familjesh kujdestare profesionale. Familjet do t’i nënshtrohen një procesi trajnimi dhe certifikimi përpara se të marrin në kujdes një fëmijë, ndërsa më pas do të monitorohen në mënyrë të vazhdueshme.

“Duhet të jemi të sigurt që familjet janë të trajnuara dhe se fëmija ndihet mirë”, deklaroi Spahiu, duke theksuar se kujdesi do të përshtatet edhe me nevojat individuale të secilit fëmijë.

Familjet kujdestare do të marrin mbështetje financiare mujore, ndërsa për fëmijët parashikohet një pagesë shtesë prej 12 mijë lekësh në muaj për nevojat e tyre. Në paketë parashikohet gjithashtu një fond prej 35 mijë lekësh në vit për shpenzime shkollore dhe nevoja të tjera që lidhen me mirërritjen dhe zhvillimin.

Një tjetër element i reformës është krijimi i një regjistri elektronik kombëtar, ku do të administrohen të dhënat për fëmijët që përfitojnë kujdes alternativ dhe familjet që i marrin në përkujdesje.

Autoritetet parashikojnë gjithashtu monitorim dhe inspektim të rregullt të familjeve kujdestare, ndërsa do të synohet ruajtja e marrëdhënieve me familjen biologjike, kur kjo vlerësohet se është në interesin më të lartë të fëmijës.

Paketa e re është pjesë e procesit të deinstitucionalizimit të shërbimeve sociale, me synimin që fëmijët pa kujdes prindëror të kenë mundësi të rriten në një ambient familjar, në vend të qëndrimit në institucionet e përkujdesjes.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme