Kredia për prona mbi 5 mld euro, eksperti: Sistemi bankar është i qëndrueshëm përballë ekspozimit

Ekonomi | 1 orë më parë

Sektori bankar shqiptar po përjeton një rritje të fortë të kredisë për pasuri të paluajtshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit maj, vlera totale e kredisë për prona kaloi shifrën e 5 miliardë eurove. Në harkun e një viti, ky portofol është rritur me 12.5%. Por sa i ekspozuar është sistemi bankar ndaj një krize të mundshme në sektorin imobiliar?

“Ka shumë likuiditet akoma nëpër banka që janë të pashfrytëzuara. Plus që një pjesë e mirë e kredive bankare janë dhënë kryesisht në sektorin imobiliar, të marra kryesisht nga familjarët, që nënkupton që ata kanë një shtëpi. Në qoftë se pritshmëria është që mund të ketë një frenim të çmimeve të apartamentit ndoshta dhe një rënie në zona të caktuara, përsëri kjo nuk do të çojë që të kemi rënie drastike që pastaj kjo të reflektojë te sektori bankar. Kështu që në këtë aspekt duhet të jemi të qetë që sektori bankar është le të themi shumë i shëndoshë”, tha Klodian Muço, ekspert ekonomie.

Për të frenuar ekspozimin, prej një viti Banka e Shqipërisë ka caktuar kufizime për kredinë për blerje banese, nga 85% deri në 70%.

“U morën disa masa konkrete, por që në thelb, nuk ekziston ai risku që sektori, bankar të cenohet apo të preket. Ajo që është vënë në pikëpyetje apo është dyshuar shpesh është financimi i sektorit bankar që shkon për ndërtimin e kullave”, shtoi eksperti.

Aktualisht, kreditimi për pasuri të paluajtshme përbën më shumë se gjysmën e portofolit total të kredisë për sektorin privat, duke e bërë pronën një prej segmenteve kryesore të aktivitetit kreditues të bankave.

Gazetar: H. Mahmutaj

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme