Berisha kërkon debat për SHISH në Kuvend: Ky parlament nuk meriton të qëndrojë i mbledhur asnjë orë

Politikë | 1 orë më parë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar Kuvendin gjatë seancës së sotme plenare, duke kërkuar që në qendër të diskutimeve të vendoset çështja e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).

Në seancën e kësaj të hëne (5 tetor), deputetët janë thirrur të ngrenë në foltoren e Kuvendit shqetësimet dhe problematikat e qytetarëve, në kuadër të nismës “Prania Besnike”.

Duke folur nga foltorja e Kuvendit, Berisha akuzoi mazhorancën se po shmang diskutimin për çështje që, sipas tij, lidhen me sigurinë dhe funksionimin e shtetit.

Ai vijoi me akuza të tjera ndaj mazhorancës, duke pretenduar se Kuvendi është kthyer në një institucion që, sipas tij, nuk mbron interesat e qytetarëve.

“Ky parlament nuk meriton të qëndrojë i mbledhur asnjë orë. Është shndërruar në një shërbëtor të shpifur të narkoshtetit. Dhunues flagrant të interesave më jetike të qytetarëve, është  shndërruar në një institucion turpi që po i shërben në verbëri narkoregjimit. Për çdo qytetar shqiptar, çështja më themelore është që se si piramida e sigurisë së tyre u faktua si piramidë e narkoshtetit, krimit e karteleve të drogës. Ju, në vend që të spostoni çdo gjë nga agjenda dhe të sillni këtu debatin për goditjen fatale të shtetit shqiptar nga narkoshteti, asgjësimin të shtetit shqiptar nga narkoshteti, ju bëni sikur po derdhni lot krokodili për ata qytetarë që ju i urreni, i përçmoni, i vidhni. Nuk ka patur kurrë një parlament të shpërfytyruar si ky parlament”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme