Demo në Akademinë e Sigurisë: Brezi i ri do të jetë pjesë e transformimit. Rritje e pagave për Policinë e Shtetit

Politikë | 52 minuta më parë

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, gjatë një takimi me studentët e rinj të Akademisë së Sigurisë, vuri në fokus rëndësinë e brezit të ri në transformimin dhe modernizimin e Policisë së Shtetit.

Demo theksoi se puna në polici kërkon mbi të gjitha përgjegjësi dhe korrektësi në ushtrimin e detyrës. Sipas tij, mbajtja e uniformës nuk duhet parë si privilegj, por si një detyrim ndaj qytetarëve dhe ligjit.

Një nga çështjet kryesore të trajtuara ishte edhe politika e pagave. Ministri njoftoi se po punohet për një rritje të ndjeshme të pagave për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit.

“Uniforma e shtetit është përgjegjësi, nuk është privilegj. Autoriteti që jep ligji duhet ushtruar me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe integritet. Unë besoj që ne shumë shpejt, duke filluar që me politikën e pagave, dhe po e them dhe këtu sot zyrtarisht, që ne jemi në rrugë të mbarë përsa i përket rritjes së pagave për të gjithë personelin e Policisë së Shtetit. Do të jetë një rritje e konsiderueshme. Prandaj ditën që ju do të dilni në detyrë do të jeni trajtuar më mirë se paraardhësit tuaj”, tha Demo.

Për ministrin, përmirësimi i trajtimit financiar duhet të shoqërohet me rritjen e standardeve profesionale. Ai kërkoi që policia e së ardhmes të mbështetet më shumë te formimi, teknologjia dhe aftësia për të parandaluar krimin, në një kohë kur sfidat e sigurisë janë bërë më komplekse.

“Një standard i ri fillon nga brezi i ri”, ishte mesazhi i ministrit për studentët, të cilët pritet të jenë pjesë e një Police Shteti më moderne dhe më të orientuar drejt standardeve evropiane.

Ky proces, sipas tij, lidhet edhe me objektivin e Shqipërisë për avancimin drejt Bashkimit Evropian dhe përmbushjen e standardeve që kërkon integrimi. Në këtë kuadër, përgatitja e një trupe policore profesionale dhe të mirëtrajtuar shihet si një element i rëndësishëm i këtij rrugëtimi.

“Kombinimi i faktorit të ardhmes që jeni ju me eksperiencën që ne kemi në Policinë e Shtetit do të jetë formula për të garantuar një Polici Shteti, e cila do të plotësojë të gjitha standardet që ne do të donim për të ardhmen e vendit. Akademinë e Policisë së Shtetit ta ngremë në nivele të tjera për ta transformuar jo thjesht nga pikëpamja e infrastrukturës, por mbi të gjitha për ta sjellë Akademinë e Policisë së Shtetit në atë çfarë koha kërkon dhe atë çfarë ne kemi punuar dhe e gjithë stafi akademik dhe gjithë drejtuesit të gjithë zinxhir drejtuesve të Policisë së Shtetit ka punuar deri tani”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme