Koçiu në ceremoninë përkujtimore: Shqipëria qëndron krah Izraelit, ndaj terrorizmit nuk mund të ketë heshtje

Zëvendëskryeministrja, Albana Koçiu, mori pjesë sot në ceremoninë zyrtare të organizuar nga Ambasada e Izraelit në Tiranë, me rastin e përvjetorit të sulmit terrorist të 7 tetorit 2023.
Gjatë fjalës së saj, Koçiu kujtoi 1,200 jetët e pafajshme të humbura gjatë sulmit të Hamasit, duke nëvlerësuar se aktet e tilla nuk mund të arsyetohen apo relativizohen në asnjë rrethanë.
“Tri vite nga 7 tetori, kujtojmë viktimat e sulmit terrorist të Hamasit ndaj Izraelit, një akt barbar që mori 1200 jetë të pafajshme dhe tronditi mbarë botën. Terrorizmi nuk njeh as moshë, as shtet, as pafajësi dhe pikërisht për këtë arsye, ndaj tij nuk mund të ketë relativizim, justifikim apo heshtje,” deklaroi Koçiu.
Qëndrimi i Shqipërisë krah Izraelit
Në mesazhin e saj të përcjellë edhe në rrjetet sociale, zëvendëskryeministrja konfirmoi përkushtimin e Shqipërisë përkrah shtetit të Izraelit dhe të gjitha kombeve që mbrojnë liritë demokratike dhe paqen globale.
“Shqipëria qëndron krah Izraelit dhe të gjithë atyre që mbrojnë të drejtën për të jetuar të lirë, në paqe dhe të sigurt. Sot, më shumë se kurrë, duhet të zgjedhim qytetërimin mbi barbarinë, lirinë mbi fanatizmin dhe paqen mbi terrorin. Në anën e jetës. Në anën e lirisë. Në anën e paqes,” përfundoi reagimin e saj numri dy i qeverisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.












