“Territorialja” në Kuvend, Berisha: Do bëjmë çdo përpjekje që të mos kalojë, asnjë votë nga PD

Politikë | 1 orë më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të votojë kundër projektligjit për reformën administrativo-territoriale, që pritet të shqyrtohet sot në Kuvend. Berisha tha se asnjë deputet i PD-së nuk do ta votojë projektligjin, ndërsa paralajmëroi kundërshtimin e tij edhe përmes protestave.

Në një deklaratë për mediat para nisjes së seancës plenare, Berisha e cilësoi reformën të njëanshme dhe antikushtetuese, duke deklaruar se opozita do të përdorë të gjitha mjetet parlamentare dhe politike për të kundërshtuar miratimin e saj.

“Ju do të jeni këtu. Opozita do të mbrojë deri në fund interesat e qytetarit. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që reforma të mos kalojë dhe do t’u sqarojmë shqiptarëve se çfarë përfaqëson kjo reformë, si shkelen interesat e tyre për karrigen e Edi Ramës, se si Edi Rama, para fundit të pushtetit, është i aftë të ndërmarrë çdo aktAsnjë votë s’ka nga PD, asnjë deputet i PD nuk e voton atë projektligj”, deklaroi Berisha, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve nëse kishte deputetë demokratë që mund të mbështesnin reformën.

Sipas kreut të PD-së, opozita do të vijojë të kundërshtojë reformën dhe do t’u shpjegojë qytetarëve qëndrimin e saj lidhur me hartën e re territoriale.

Kundërshtimi i reformës territoriale pritet të shoqërohet edhe me protesta. Opozita ka paralajmëruar mobilizim gjatë zhvillimit të seancës plenare, duke kundërshtuar projektligjin e propozuar nga Partia Socialiste. Projektligji që pritet të shqyrtohet sot parashikon reduktimin e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46.

Reforma ka shkaktuar kundërshtime nga opozita, e cila argumenton se harta e re territoriale është e njëanshme dhe nuk garanton, sipas saj, përfaqësimin e interesave të qytetarëve.

Për shkak të protestave të paralajmëruara, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie pranë ambienteve të Kuvendit. Efektivë të shumtë janë vendosur në hyrjet dhe akset që të çojnë drejt godinës së Parlamentit, ndërsa pritet që zhvillimet rreth seancës të shoqërohen me tensione politike dhe protesta.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme