Kuvend/ Opozita kërkon tërheqjen e Reformës Territoriale, Berisha: Të shkojmë në referendum! Balla: Do votohet
Nga foltorja e Kuvendit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje mazhorancës të tërheqë projektligjin dhe propozoi që për hartën e re territoriale të zhvillohet referendum. Ai kërkoi që qytetarët të pyeten drejtpërdrejt për reformën dhe propozoi që referendumi të zhvillohet mbi dy variante.
“Në rast se ka mbetur një nanogram në thellësitë e ndërgjegjes suaj të mykur, hidheni poshtë këtë projekti si një projekt armiqësor ndaj qytetarëve. Një projekt i cili nuk ka qytetar shqiptar që ta votojë. Hidheni poshtë dhe të vendosim sot të shkojmë në referendum, të pyesim qytetarët për një proces madhor që mbi të gjitha ka të bëjë me jetesën e tyre aty ku janë, shërbimet e tyre, me të ardhmen dhe zhvillimin e komuniteteve. Të shkojmë në referendum me 2 variante dhe variantin që votojnë qytetarët ta saknsionojmë këtu”, tha Berisha.
Edhe deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, kërkoi tërheqjen e projektligjit, duke e cilësuar atë si një reformë që synon, sipas tij, “shpopullimin” dhe “zhbërjen e Shqipërisë”.
“Ju kërkojmë të tërhiqni projektin kriminal, shpopullues që gjoja e keni servirur si reformë territoriale. Kjo seancë sot ka vetëm një rend dite dhe ky rend dite është tërheqja urgjente e këtij projekti kriminal që synon zhbërjen e Shqipërisë. Nuk mund të ketë seancë normale parlamentare kur ky Kuvend është marrë peng nga mafia”, tha Blushi.
Nga ana tjetër, mazhoranca nuk ka bërë pas. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se projektligji do të diskutohet dhe votohet në seancën e sotme.
Balla tha se socialistët e kanë marrë dakordësinë e qytetarëve për reformën përmes zgjedhjeve të 11 majit 2025, duke iu referuar 83 mandateve të fituara nga PS.
“Ne e kemi marrë dakordësinë e qytetarëve shqiptar më 11 maj 2025 sepse kjo pikë ka qenë pika e parë e programit tonë ‘Shqipëria 2030’. Qytetarët na dhanë 83 mandate për ta çuar përpara këtë reformë. Ftesa ime sot nuk është të mos diskutojmë. Ne do ta diskutojmë dhe votojmë këtë pikë të rendit të ditës”, u shpreh Balla.
Ai i bëri thirrje opozitës që të angazhohet në diskutimin për kompetencat e njësive të qeverisjes vendore, duke propozuar ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për Reformën Territoriale.
“Ftesa ime është t’i përgjigjeni ofertës dhe ditën e enjte javën e ardhshme të ngremë sbashku Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale për pjesën e kompetencave. Keni 1 javë kohë që të mendoni të vini për pjesën e kompetencave, kjo sot do të votohet. Deri të enjten tjetër mendohuni, bëni gati propozimet”, deklaroi Balla.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




