Rritet numri i lindjeve në Korçë/Në maternitet 536 lindje këtë vit, 47 më shumë se një vit më parë

Shëndet | 1 orë më parë

Në Maternitetin e Korçës, këtë vit janë regjistruar 536 lindje, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishin 489, pra 47 lindje më pak. Mjekët e lidhin këtë tendencë me disa faktorë, ndërsa emigrimi i çifteve të reja dhe ulja e numrit të grave në moshë riprodhuese vijojnë të mbeten sfida për qarkun. Megjithatë, panorama demografike mbetet problematike.

Sipas INSTAT, vetëm në tremujorin e dytë të vitit 2026, në Korçë u regjistruan 265 vdekje më shumë se lindje. Në nivel kombëtar, Shqipëria po përballet gjithashtu me plakjen e popullsisë dhe rënien e lindjeve. Sipas të dhënave të censit, numri i fëmijëve nga 0 deri në 5 vjeç ka rënë në rreth 136 mijë, nga 185 mijë që ishte 14 vite më parë.

Ndërkohë, mjekët e maternitetit kanë vënë re edhe një tjetër tendencë, rritjen e lindjeve me operacion, edhe në rastet kur shtatzënia nuk paraqet komplikacione. Lindjet e kryera deri tani, tregojnë për një proces të realizuar në masën 60% me cezarian.

Ndaj mjekët këshillojnë që zgjedhja e mënyrës së lindjes duhet të bëhet sipas rekomandimit të mjekut dhe në varësi të gjendjes së nënës dhe foshnjës. Rritja e lindjeve në Korçë mbetet një tregues pozitiv në një kohë kur vendi po përballet me tkurrje të popullsisë dhe plakje demografike.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme