Reforma territoriale/ Rama: Përtej debateve të brendshme dhe të jashtme, Shqipëria mori një shtysë modernizuese

Pak orë pas miratimit në Kuvend të Reformës Territoriale, kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në platformën X, ku e ka cilësuar votimin si një tjetër shtysë modernizuese për Shqipërinë.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë iu referua debateve të brendshme politike dhe, siç i cilësoi ai, spekulimeve nga jashtë, duke argumentuar se pavarësisht vështirësive dhe kundërshtive, vendimi i Kuvendit përbën një hap përpara për vendin. Kryeministri e shoqëroi reagimin edhe me një mesazh drejtuar kundërshtarëve politikë, duke nënvizuar se rezultati i votimit tregoi edhe një herë forcën e Partisë Socialiste.
“Përtej të gjithë debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga gjithfarë duarsh të pista, ca të dukshme e ca të padukshme po jo të pazbuluara tanimë, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese. Dhe nga ana tjetër, u tregoi edhe njëherë të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë ‘hesape pa hanxhinë’ me Partinë Socialiste”, deklaroi Rama.
Reagimi i Ramës vjen pas miratimit të Reformës Territoriale në Kuvend me 85 vota pro dhe 34 kundër. Reforma parashikon reduktimin e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46, përmes shkrirjes së 15 njësive të qeverisjes vendore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



