Votimi i Reformës Territoriale, Balla: Kush mendon se do të na ndalë me molotovë e gurë, i ka bërë llogaritë gabim

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas votimit të mbrëmshëm në Kuvend të Reformës Administrative Territoriale.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, duke iu referuar protestave, Balla shkruan se “molotovët dhe gurët” nuk do ta pengojnë Partinë Socialiste të vijojë reformat që, sipas tij, i duhen Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Besoj se votimi i mbrëmshëm unanim nga ne në Kuvend i kësaj faze të domosdoshme të Reformës Administrative Territoriale flet vetë. Komunitetet e bashkive, banorët janë përfituesit e projekteve të zhvillimit që sjell anëtarësimi në BE. Siç thotë populli në këto raste, qentë le të lehin, karvani europian i Shqipërisë ecën përpara”, shprehet Balla.
Reforma Territoriale u votua në Kuvend me 85 vota pro dhe 34 kundër. Reforma parashikon reduktimin e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46, përmes shkrirjes së 15 njësive të qeverisjes vendore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




