Karakaçi sqaron ndërhyrjet në Shkumbin: Argjinatura është e përkohshme, do të hiqet pas punimeve për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë

Ndërhyrjet në lumin Shkumbin, në kuadër të projektit për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, janë pjesë e projektit të zbatimit dhe nuk përbëjnë devijim të pakontrolluar të rrjedhës së lumit. Kështu deklaron ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili sqaron se argjinatura e ndërtuar në zonën e punimeve është e përkohshme dhe do të hiqet pasi të përfundojë ndërhyrja.
Sipas Karakaçit, mbrojtja lumore është një nga komponentët kryesorë të projektit dhe po realizohet për herë të parë në këtë aks rrugor. Ndërhyrja vjen pas një rrëshqitjeje masive rreth gjashtë muaj më parë, e cila krijoi probleme si për ecurinë e punimeve, ashtu edhe për qarkullimin e automjeteve.
Duke iu referuar shqetësimeve të ngritura së fundmi në rrjetet sociale për dëmtimin e shtratit të lumit dhe devijimin e rrjedhës së Shkumbinit, Karakaçi sqaron se aktualisht po ndërtohet sistemi mbrojtës i rrugës, i cili përfshin pilota dhe mur betoni. Sipas projektit, rruga do të ngrihet rreth 18 metra mbi nivelin aktual të lumit.
“Mbrojtja lumore është një nga komponentët më të rëndësishëm të projektit për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë dhe po realizohet për herë të parë në këtë aks. Rreth 6 muaj më parë, gjatë zhvillimit të projektit, një rrëshqitje masive krijoi probleme të mëdha jo vetëm për ecurinë e punimeve, por edhe për lëvizjen e automjeteve. Sipas vlerësimeve të specialistëve në terren, një nga faktorët që ndikoi në këtë situatë ishte edhe erozioni i thellë i shkaktuar nga mungesa e mbrojtjes lumore.
Gjatë javëve të fundit janë shfaqur në rrjetet sociale pretendime se po “shkatërrohet shtrati i lumit” apo se po “devijohet rrjedha” e Shkumbinit. Këto janë të gjitha shqetësime të drejta. Megjithatë sqaroj që ndërhyrja që po kryhet është plotësisht pjesë e Projektit të Zbatimit dhe nuk përbën devijim të pakontrolluar të lumit. Në këtë fazë po realizohet sistemi mbrojtës i rrugës me pilota dhe mur betoni, ndërsa rruga do të ngrihet rreth 18 metra mbi nivelin aktual të lumit. Për të kryer këto punime në kushte të sigurta dhe të thata, është ndërtuar një argjinaturë provizore, e cila izolon përkohësisht zonën e punimeve nga prurjet e lumit”, deklaron ministri.
Karakaçi thekson se, me përfundimin e punimeve, argjinatura e përkohshme do të hiqet dhe lumi do të marrë konfigurimin e parashikuar në projekt. Ai e cilëson ndërhyrjen si pjesë të masave për mbrojtjen e rrugës dhe të shtratit lumor, me synimin për të garantuar sigurinë e infrastrukturës dhe funksionimin normal të Shkumbinit.
“Pra, ajo që shohim sot në terren, pavarësisht pamjes që mund të krijojë shqetësim, nuk është konfigurimi përfundimtar i shtratit të Shkumbinit, por një masë e përkohshme e nevojshme për realizimin e punimeve. Me përfundimin e punimeve, argjinatura provizore do të hiqet dhe lumi do të marrë konfigurimin e përcaktuar në projekt. Ndaj, ajo që po ndërtohet sot nuk është shkatërrim i lumit, por pjesë e një ndërhyrjeje të planifikuar për mbrojtjen e rrugës dhe të vetë shtratit lumor, duke garantuar njëkohësisht sigurinë e infrastrukturës dhe funksionimin normal të Shkumbinit”, përfundon reagimin e tij ministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




