Trump njoftoi marrëveshjen për naftën me Rusinë, Zelensky: Një dhuratë për Putinin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka kritikuar vendimin e Trump për lehtësimin e kufizimeve ndaj eksporteve ruse të karburantit, duke paralajmëruar se marrëveshja mund të ndihmojë Moskën të zgjasë luftën në Ukrainë.
Sipas njoftimit të Trump, Rusia do të furnizojë fillimisht tregjet me më shumë se 300 mijë tonë naftë, ndërsa dërgesat do të vijojnë me 500 mijë tonë gjatë nëntorit, një milion tonë të tjerë më pas dhe deri në tre milionë tonë shtesë brenda një periudhe të shkurtër.
Trump deklaroi se marrëveshja synon të rrisë furnizimin me karburant dhe të ulë çmimet në tregjet amerikane dhe globale.
Presidenti ukrainas argumentoi se lehtësimi i sanksioneve ndaj Rusisë, pa një marrëveshje të qartë dhe të qëndrueshme për uljen e tensioneve, përbën një dobësi dhe mund të favorizojë vazhdimin e agresionit rus.
“Dhuratat për Putinin nuk do të sjellin paqe dhe as ndonjë përfitim për botën e qytetëruar”, deklaroi Zelensky, duke paralajmëruar se të ardhurat nga shitja e produkteve të naftës mund të ndihmojnë Moskën të financojë më tej luftën.
Ai e përshkroi lejimin e eksporteve ruse të karburantit si një investim në një luftë që duhet të përfundojë, jo të zgjatet. Sipas tij, nevojitet një proces real i uljes së tensioneve, ku të dyja palët të ndërmarrin hapa të ndërsjellë.
Zelensky tha gjithashtu se Ukraina i ka propozuar Uashingtonit një kompromis për infrastrukturën energjetike. “Kievi është i gatshëm të ndalë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës nëse Moska ndalon sulmet ndaj objekteve energjetike ukrainase”, tha Zelensky.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




