Shëndeti mendor, mes shifrave dhe paragjykimeve, në Shkodër janë regjistruar më shumë raste
Problemet e shëndetit mendor po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje, ndërsa të dhënat e Spitalit Psikiatrik të Shkodrës tregojnë një rritje të rasteve të evidentuara përmes vizitave.
Sipas mjekes psikiatre dhe shefes së këtij institucioni, dr. Eridana Rusi, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 70 raste më shumë krahasuar me vitin 2024.
Eridana Rusi Shefe e Spitalit Psikiatrik Shkodër u shpreh pwr RTSH se. “Numri është shtuar. Vjet kemi pasur shumë më tepër shtrime se vitin e kaluar. Pothuajse 70 shtrime më tepër se në vitin 2024 kemi pasur në vitin 2025. Për një vit kemi pasur 374 shtrime dhe kemi 130 raste të reja, po të mendosh që në vitin 2020 kemi pasur pak a shumë 22 raste të reja. Sot që flasim, në vitin 2026 kemi 130 raste të reja.”
Në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, mjekja psikiatre përcjell mesazhin për të mos neglizhuar shqetësimet që lidhen me shëndetin mendor dhe për të kërkuar ndihmën e specialistëve, duke kapërcyer paragjykimet që shpesh shoqërojnë këto probleme.
Rusi vlerëson gjithashtu rritjen e ndërgjegjësimit në shoqëri, veçanërisht tek të rinjtë, të cilët po tregohen më të hapur ndaj trajtimit të çështjeve të shëndetit mendor.
“Njerëzit duhet të flasin pa frikë, ndërsa vetë specialistët e fushës duhet të dëgjojnë pa paragjykime.Me kalimin e viteve, njerëzit janë ndërgjegjësuar dhe kërkojnë më shpejt ndihmë. Brezi i ri që po vjen është më i ndërgjegjshëm ndaj vetes, më i fokusuar dhe shpesh vëmë re se e marrin në dorë shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Kjo bën që rastet fillestare të kapen në kohë.”
10 tetori, Dita Botërore e Shëndetit Mendor, shërben si një mundësi për të rikujtuar rëndësinë e kujdesit ndaj mirëqenies psikologjike, njohjes së hershme të shqetësimeve dhe mbështetjes së personave që përballen me probleme të shëndetit mendor.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




