Mbi 90% e fëmijëve të vaksinuar në Shkodër. Mjekët apel prindërve: Mos e shtyni vaksinimin e të miturve
Ndërsa në Shkodër vijon fushata e vaksinimit kundër gripit sezonal, paralelisht po zhvillohet edhe vaksinimi periodik i fëmijëve, pjesë e kalendarit kombëtar të vaksinimit.
Sipas të dhënave të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Shkodër, gjatë këtij viti është vënë re një interes më i lartë i prindërve për vaksinimin e të miturve, krahasuar me vitet e fundit.
Deri në fund të muajit shtator, niveli i vaksinimit ka arritur në mbi 90 për qind, sipas të dhënave zyrtare.
“Çdo vaksinë e ka mbi 95% vaksinimin që ne e quajmë dozat është nivelet optimale. Doza e dytë ose e tretë mund të shtyhet me dy muaj, por kjo vlen vetëm në momentet që nuk ka epidemi aktive”, tha Besara Gjurgjej, drejtuese e NJVKSH Shkodër.
Megjithatë, specialistët vënë re se vitet e fundit një pjesë e prindërve kanë tendencën ta shtyjnë vaksinimin e fëmijëve, një praktikë që mund t’i lërë ata të pambrojtur ndaj sëmundjeve infektive.
“Prindërit do të jenë më të kujdesshëm në vaksinimin e fëmijëve. Vaksinat janë shumë të rëndësishme për mbarëvajtjen e shëndetit të fëmijës për të gjitha sëmundjet infektive dhe kanë ofruar gjithmonë një mbulim optimal në lidhje me këto probleme të ndryshme që mund të ketë shëndeti”, tha ajo.
Hezitimi më i madh lidhet me vaksinën kundër fruthit, rubeolës dhe shytave. Disa prindër vazhdojnë ta lidhin këtë vaksinë me rrezikun e autizmit, duke preferuar ta shtyjnë deri në momentin kur fëmija të fillojë të flasë. Por specialistët theksojnë se kjo lidhje nuk mbështetet nga provat shkencore dhe se vaksinimi duhet të kryhet në kohën e përcaktuar nga kalendari kombëtar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




