“Çmimi” i punës fizike, rriten rastet e dëmtimeve të tendinave. Tendinopatia një patologji e përhapur në Myzeqe

Shëndet | 1 orë më parë

Puna e rëndë fizike, por edhe profesione që kërkojnë lëvizje të vazhdueshme e të përsëritura të krahëve po shkakton shqetësime në rritje në zonën e Myzeqesë. Banorët ankohen për dhembje, ndërsa dëmtimet kronike të tendinave të muskujve kanë bërë që tendinopatia të renditet ndër patologjitë më të përhapura.

“Përveç sëmundshmërisë kronike reumatizmale, siç janë artrozat dhe sëmundjet inflamatore reumatizmale, dhimbjet e krahëve janë ndër patologjitë më të shpeshta, veçanërisht në disa sezone, si ky që po afron, kur kryhen procese të ndryshme bujqësore, për shembull, vjelja e ullinjve, që kërkojnë përdorimin e krahëve”, u shpreh Ilda Dhori, Mjeke reumatologe.

Përveç atyre që merren me bujqësi, raste të shtuar ka edhe në radhët e parukierëve, dentistëve, të cilët për shkak të natyrës së profesionit sforcojnë pa ndërprerje krahët dhe kyçet.

“Kemi pasur dentistë, parukierë dhe pacientë edhe në mosha të reja, që merren me pjesën e ekspresit, ku krahu duhet të bëjë në mënyrë të vazhdueshme të njëjtën lëvizje përsëritëse. Kjo krijon atë që ne e quajmë dëmtim të tendinit muskulor, por që sot, me trajtimet që bëhen, është lehtësisht e zgjidhshme në mënyrë përfundimtare. Kjo pastaj lidhet edhe me kënaqësinë në profesion, pasi pacienti mund të zgjidhet plotësisht dhe të shërohet”, tha ajo.

Mjekja reumatologe ngre alarmin për një gabim shumë të shpeshtë që bëjnë pacientët, ajo e nisjes së fizioterapisë pa u konsultuar më parë me specialistin.

“Shkojnë në fizioterapi, por në këtë rast fizioterapia është kategorikisht e ndaluar, pasi në shumicën e rasteve pacientët vijnë të rënduar”, theksoi mjekja

Neglizhenca e simptomave të para, mund të çojë drejt një patologjie kronike me pasoja afatgjata, ndaj përballë punës së përditshme fizike, përkujdesja e hershme mjekësore mbetet hapi kryesor për të ruajtur shëndetin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme