Atentati me tritol në Gjirokastër, eksplozivi dyshohet se u aktivizua në distancë. Viktima ishte dënuar në vitin 2012

Aktualitet | 1 orë më parë

Disa orë pas atentatit të regjistruar në Gjirokastër, në orët e vona të së shtunës, zbardhen detaje të reja rreth ngjarjes.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije, se ka dyshime që lënda plasëse e vendosur në automjet mund të jetë aktivizuar në distancë, përmes një telefoni celular.

Fatkeqësisht, Beqir Devolli, i cili ndodhej në timon, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë gjatë transportimit drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Ndërkohë, Erigers Mela, pasagjer në automjet, mbeti i plagosur, por, sipas informacioneve paraprake, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Bëhet me dije, se familja e Devollit banon në një fshat të Gjirokastrës, ndërsa vetë viktima kalonte pjesën më të madhe të kohës në Tiranë ndaj dhe të shtunën në mbrëmje po kthehej nga kryeqyteti.

Shpërthimi ndodhi mbrëmjen e së shtunës, në bulevardin “18 Shtatori”, pranë institucioneve të drejtësisë dhe ambienteve të Policisë së Gjirokastrës, ku fillimisht u mendua se ishte një aksident rrugor.

Automjeti tip “Benz”, në të cilin udhëtonin Devolli dhe Mela, shpërtheu ndërsa ishte në lëvizje.

Po sipas të dhënave nga dikasteri blu, bëhet me dije se, Devolli nuk rezulton të ketë raportuar konflikte të hapura ndonëse në skedat e policisë rezulton të jetë dënuar në vitin 2012 për transport të paligjshëm të emigrantëve.

Policia dhe prokuroria e Gjirokastrës po vijojnë hetimet për të përcaktuar mekanizmin e shpërthimit, për të identifikuar personat që kanë vendosur lëndën plasëse dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme