Fusha e Maliqit kërkon ribonifikim, mbi 600 hektarë tokë u përmbytën nga reshjet gjatë 2026

Sociale | 1 orë më parë

Fusha e Maliqit, një nga zonat më të rëndësishme bujqësore në juglindje të vendit, përballet me problematikën e përmbytjeve, veçanërisht në zonën torfike, ku niveli i tokës ka pësuar ulje të ndjeshme ndër vite.

Ribonifikimi i fushës shihet si një nga zgjidhjet për përmirësimin e sistemit të kullimit dhe parandalimin e përmbytjeve që rrezikojnë prodhimin bujqësor. Fusha e Maliqit ka një sipërfaqe prej rreth 13 mijë hektarësh, nga të cilat 6 mijë hektarë janë zonë trofike.

Reshjet e shumta të fundit të dhjetorit të vitit të kaluar dhe ditëve të para të janarit të këtij viti, të shoqëruara edhe me çarjen e dy argjinaturave, shkaktuan përmbytjen e më shumë se 600 hektarëve tokë bujqësore. Rreth 500 hektarë të sipërfaqes së përmbytur ndodheshin në zonën trofike, ku ulja e nivelit të tokës e bën më të vështirë largimin e ujërave.

Përballë kësaj situate, një investim për ribonifikimin e fushës pritet të ndërhyjë në sistemin e kullimit dhe ujitjes, përmes fondeve të siguruara nga Ministria e Bujqësisë. Investimi madhor që do të nisë zbatimin nga 2027 pritet t’i japë zgjidhje përfundimtare parandalimit të përmbytjeve në fushën e Maliqit, gjithashtu edhe sistemit të ujitjes.

Ndërkohë, eksperti i bujqësisë Ylver Bylykbashi vlerëson se zgjidhja kërkon një ndërhyrje të plotë në sistemin e kullimit, duke përfshirë pastrimin e kanaleve dhe të shtratit të lumit Devoll, si dhe ndërtimin e një hidrovori në zonat ku niveli i tokës ka rënë nën nivelin e lumit.

“Për mendimin tim, zgjidhja për fushën e Maliqit është ribonifikimi i fushës, që nënkupton pastrimin e kanaleve kulluese në thellësinë optimale, si dhe pastrimin e shtratit të lumit, veçanërisht në pjesën e ulët, ku toka ka rënë në nivelin e shtratit të lumit Devoll. Vendosja e një hidrovori për marrjen e ujit nga kanalet dhe derdhjen e tij në lumë”, u shpreh Ylver Bylykbashi, Ekspert bujqësie.

Fusha e Maliqit ka një rëndësi të veçantë për bujqësinë e rajonit, pasi është fusha e dytë më e madhe në vend.

Gazetare:  K. Koçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme