Pijet energjike çojnë fëmijët në spital, alarmojnë mjekët: 9 deri 12-vjeçarët konsumojnë mbi 3 në ditë, rastet nisin që 6 vjeç

Shëndet | 1 orë më parë

Zemra e fëmijëve tanë po sëmuret që në fëmijëri për shkak të stilit të jetesës pa kontroll që ata bëjnë si pije energjike dhe alkooli që në pubertet, ku mosha e vogël referuar në spital shkon në 6 vjeç,  pagjumësi natën nga ekranet e pafundme që përdorin gjatë ditës dhe duhanpirje.

Kardio-pediatria Numila Maliqari (Kuneshka) thotë për RTSH se në klinikë e QSUT-së shtrime të rasteve të tilla për trajtim janë të rregullta dhe në rritje.

“Kemi patur fëmijë të cilët i gjejmë të shtruar dhe shtrohen në pavionin tonë. Njëherë ka ardhur dhe një fëmijë gjashtë vjeç që referoi prindërit prindi që kishte konsumuar pije energjike. Po kështu kryesisht është mosha e pubertetit. Mosha e pubertetit 12-15 vjeç është mosha kur kanë një shpërthim hormonesh, një zhvillim ku në trupin e tyre ndodhin ndryshime dhe u duket si një formë për të treguar që unë tashti jam adult, jam i rritur, jam i pavarur. Pinë edhe dy tre në ditë”, tha mjekja.

Kjo është situatë alarmante thotë Dr. Numila. Fëmijët dhe adoleshentët vijnë me çrregullime të ritmit të zemrës deri në gjendje të fikti.

“Janë fëmijë të pafuqishëm, gati me gjendje të fikti, me alterim të analizave biokimike të cilët kanë nevojë të hospitalizohen. Natyrisht pastaj me ndërhyrjen mjekësore, me terapinë e kalojnë këtë situatë, por nuk duhet të arrijnë që në këtë situatë’, tha ajo.

Mjekja u bën apel prindërve të kontrollojnë ditën e të vegjëlve të tyre dhe të mos u japin para për të konsumuar jashtë pije dhe ushqime të pashëndetshme pasi dëmet janë të parikthyeshme.

“Prindërit duhet të bëhen alertë që të mos u blejnë fëmijëve pije energjike, të mos u japin para në dorë që ata të blejnë vetë fshehurazi dhe duhet t’i bindin që pijet energjike janë të dëmshme deri në moshën 18 vjeçare’, tha mjekja.

Mjekët paralajmërojnë adoleshentët e sotëm se do jenë kandidatë potencial për pacientët kardiakë të së nesërmes. Ata rekomandojnë kontrolle sa më të hershme të zemrës dhe përfshirje në aktivitete fizike.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme