Ministrja Spahiu: Mamografia e lëvizshme gjatë gjithë vitit, përgjigjet brenda dy javësh

Shëndet | 2 orë më parë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, deklaroi gjatë një vizite në Elbasan se njësitë e lëvizshme të mamografisë do të vijojnë të ofrojnë shërbimin e depistimit dhe diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit gjatë gjithë vitit, jo vetëm gjatë muajit tetor. Gjithashtu, pritet të shkurtohet koha e marrjes së përgjigjeve të ekzaminimeve, nga rreth një muaj e gjysmë aktualisht në një deri në dy javë.

Spahiu theksoi se synimi është rritja e aksesit të grave në kontrollet parandaluese, veçanërisht në zonat e largëta, deri në rikthimin e plotë të shërbimit të mamografisë stacionare në Elbasan.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Dorina Toçi, bëri të ditur se është planifikuar një kalendar lëvizjeje për njësitë e mamografisë, në bashkëpunim me drejtuesit vendorë dhe njësinë vendore të kujdesit shëndetësor, në mënyrë që njëra prej tyre të jetë në dispozicion të qytetit të Elbasanit.

Sipas Toçit, mamografitë e kryera nga njësitë e lëvizshme dërgohen çdo javë, në fundjavë, në Institutin e Shëndetit Publik, ku imazhet shqyrtohen nga radiologia. Kjo procedurë synon të përshpejtojë procesin e vlerësimit dhe të njoftimit të pacienteve për rezultatet.

Ministrja Spahiu bëri gjithashtu të ditur se, pas krijimit të Institutit Onkologjik, synohet riorganizimi i shërbimit onkologjik dhe krijimi i një rrjeti të integruar në të gjithë vendin.

“Në këtë kuadër, pas janarit parashikohet një ristrukturim i ri, me synimin që shërbimet të funksionojnë në koordinim me Institutin Onkologjik, përfshirë edhe shërbimin e kimioterapisë. Përveç diagnostikimit të hershëm, në Elbasan po punohet edhe për trajtimin e pacienteve, përfshirë terapinë, me synimin për të përmirësuar vijimësinë e kujdesit shëndetësor”, u shpreh Spahiu.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, tha se mamografia e lëvizshme ka lehtësuar aksesin e grave në zonat rurale dhe njësitë administrative të largëta, duke u mundësuar kryerjen e kontrolleve pa qenë e nevojshme të udhëtojnë drejt qytetit.

Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje grave që të mos e kufizojnë kujdesin për shëndetin e gjirit vetëm në muajin Tetor Rozë, por të kryejnë kontrolle të rregullta gjatë gjithë vitit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme