Sekretariati i Etikës përjashton me 60 ditë Bardhin dhe Balliun, demokratët: Do ankimojmë vendimin

Politikë | 2 orë më parë

Sekretariati i Etikës ka vendosur përjashtimin për 60 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetëve të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu. Vendimi vjen pas incidenteve të regjistruara gjatë seancës plenare të 8 tetorit, ndërsa demokratët e kanë kundërshtuar ashpër masën, duke paralajmëruar se do ta ankimojnë atë. Sipas kërkesës së Partisë Socialiste, Gazment Bardhi akuzohet se ka përdorur gjuhë fyese dhe ka qëlluar me shishe uji në drejtim të përfaqësuesve të mazhorancës, ndërsa Klevis Balliu se ka hedhur vezë dhe ka përdorur një pajisje zhurmuese në sallën e Kuvendit.

Pas vendimit, deputeti i PD-së, Klevis Balliu, e cilësoi masën të padrejtë, duke pretenduar se gjatë përplasjes në Kuvend, shishja e parë është hedhur nga pala socialiste në drejtim të Gazment Bardhit.

“Godasin debatin në Parlament, reagimi ynë është i drejtë pasi sulmohemi. Shishja e parë vjen nga pala e grupit të PS-së, që godasin z. Bardhi, dhe është video publike. Shishja e parë lëshohet nga PS-ja. Nuk ka asnjë nga PS-ja që të merret masë ndaj tij”, deklaroi Balliu për mediat.

Ai e konsideroi të tepruar përjashtimin për dy muaj nga punimet parlamentare dhe akuzoi mazhorancën se po përdor standarde të dyfishta ndaj opozitës.

“Në cilin vend të botës ndodh që të përjashtohet një deputet dy muaj? Këtu nuk ka as deputetë, as ministra, këtu është Edi Rama”, u shpreh deputeti demokrat.

Balliu kundërshtoi gjithashtu klasifikimin e hedhjes së vezëve si përdorim i lëndëve piroteknike, duke e cilësuar këtë interpretim të papranueshëm. Ai bëri të ditur se vendimi do të ankimohet, ndërsa pretendoi se në procese të mëparshme gjyqësore lidhur me çështje të ngjashme, pala e tij ka fituar.

Edhe deputeti demokrat Saimir Korreshi kundërshtoi vendimin e Sekretariatit të Etikës, duke argumentuar se masa prej 60 ditësh nuk mbështetet në Rregulloren e Kuvendit.

“Nga ana ligjore, çdo veprim që mund të pretendohet nga ana e kolegëve deputetë që kanë bërë kërkesën është i gabuar. S’mund të shkohej te 60-ditëshi. Këta u dënuan 60 ditë pa Rregullore. Po ata të sekretariatit që japin dënim jashtë Rregullores, sa duhet të dënohen?”, deklaroi Korreshi teksa e cilësoi vendimin shkelje të rëndë të Rregullores së Parlamentit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme