Projektligji i ri për kinemanë dhe audiovizualin/Qendra kombëtare e kinematografise nuk ndryshon status
Projektligji i ri për kinematografinë dhe audiovizualin ishte në fokus të konferencës për shtyp të zhvilluar në Ministrinë e Kulturës, me pjesëmarrjen e zëvendësministres Lira Pipa dhe kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji.
Mesazhi kryesor i përcjellë në këtë takim ishte se statusi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë nuk ndryshon, ndërsa diskutimi u përqendrua te kuadri i ri ligjor që synon të rregullojë zhvillimin e sektorit kinematografik dhe audiovizual në Shqipëri.
“Statusi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë nuk ndryshon nga ai që është aktualisht. Do të thotë se ka autonominë e vet, gjithmonë të bashkërenduar me ministrin dhe ministrinë përkatëse. Statusi mbetet i pandryshuar dhe është shumë e rëndësishme ta theksojmë këtë”, u shpreh Jonid Jorgji, kryetari të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.
“Ne e kemi pasur këtë projektligj në konsultim publik dhe, së bashku me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, kemi reflektuar të gjitha këto komente. Ky draft do të prezantohet edhe publikisht, ku kushdo mund të shohë rekomandimet që janë reflektuar. Gjithashtu, jemi në procesin e shqyrtimit ndërinstitucional. Ky draft do të kalojë edhe në ministritë përgjegjëse, të cilat do të reflektojnë komentet e tyre. Më pas, synojmë të vijojmë me proceset e domosdoshme në komisionet parlamentare, për ta çuar përpara këtë vizion”, tha zëvendësministrja e Turizmit, Kulturws dhe Sportit, Lira Pipa.
Projektligji synon të përshtatë legjislacionin me zhvillimet e reja të industrisë, duke përfshirë jo vetëm prodhimin tradicional të filmave, por edhe serialet, platformat digjitale dhe format e tjera të përmbajtjes audiovizuale.
Sipas materialeve zyrtare të publikuara për projektligjin, parashikohen gjithashtu mekanizma për nxitjen e investimeve, mbështetjen e prodhimeve filmike dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Projektligji ka qenë pjesë e një procesi konsultimi publik, të zhvilluar gjatë muajve maj dhe qershor 2026. Ai ka nxitur diskutime në komunitetin e kineastëve, veçanërisht lidhur me të ardhmen e institucioneve, mbështetjen për filmin shqiptar dhe përfshirjen e formateve të reja audiovizuale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




