Siguria në shkolla/ Policia e Beratit dhe autoritetet arsimore bashkërendojnë masat për mbarëvajtjen e mësimit

Arsim | 1 orë më parë

Në kuadër të zbatimit të Planit të Masave për Sigurinë në Shkolla, Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka zhvilluar një takim pune me përfaqësuesit e Zyrës Vendore të Arsimit dhe drejtuesit e institucioneve arsimore të rajonit.

Takimi u drejtua nga Drejtori i DVP Berat, Drejtues Dritan Lena, me pjesëmarrjen e nënspecialistëve të edukimit në shkolla. Fokus kryesor i këtij bashkëbisedimi ishte koordinimi i veprimeve ndërmjet policisë dhe arsimtarëve për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të favorshëm për vazhdimësinë e procesit mësimor.

“Gjatë takimit u diskutua mbi masat që duhen ndërmarrë për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të përshtatshëm për nxënësit, identifikimin dhe trajtimin në kohë të problematikave.”, thuhet në njoftim.

Identifikimi i problematikave dhe shtimi i pranisë policore

Përfaqësuesit e policisë dhe autoritetet arsimore nënvizuan rëndësinë e reagimit të shpejtë ndaj çdo situate që mund të cenojë mirëqenien e nxënësve. Ndër pikat kyçe të diskutimit ishin respektimi i rregulloreve të brendshme të shkollave, si dhe parandalimi i fenomeneve negative përmes rritjes së monitorimit.

“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat mbeten të angazhuara përmes marrjes së masave konkrete, shtimit të pranisë policore dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet arsimore.”, thekson njoftimi.

Shtrirja e masave në të gjithë qarkun

Sipas njoftimit zyrtar, plani i masave dhe bashkëpunimi ndërinstitucional nuk do të kufizohen vetëm në qendrën e qytetit, por do të shtrihen në të gjitha institucionet arsimore të qarkut të Beratit.

“Ky bashkëpunim do të vijojë në të gjitha shkollat e qarkut Berat, me synimin për të krijuar një mjedis të sigurt, të qetë dhe mbështetës për nxënësit.”, mbyllet njoftimi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme