“Stratus”, varianti i COVID-19 që i shpëton pjesërisht imunitetit; ISHP: Situata mbetet e qetë
Varianti i ri Stratus, që ka rritur infektimet në disa vende të Europës, ka rikthyer vëmendjen te COVID-19.
Ky variant, sipas OBSH-së, ka aftësi të shmangë pjesërisht antitrupat dhe imunitetin, duke u avantazhuar për t’u përhapur më shpejt, por deri më tani nuk ka prova bindëse se shkakton sëmundje më të rëndë. Simptomat, sipas epidemiologes Marjeta Dervishi në ISHP, janë si ato të COVID-19, por më të shprehura në kohë.
Marjeta Dervishi, epidemiologe, ISHP, u shpreh për RTSH se “Gjatë rasteve që janë prekur nga forma e re e virusit, vihet re se pacientët mund të kenë një kollë të zgjatur dhe të vazhdueshme. Gjithashtu, janë vërejtur edhe simptoma gastrointestinale, si dhe humbje e nuhatjes.”
ISHP nuk e përjashton mundësinë e qarkullimit të këtij varianti edhe në Shqipëri për shkak të lëvizjeve të shtuara mes vendeve të Europës.
“Mund të ekzistojë mundësia për të pasur raste të tilla, sepse me Anglinë, me Amerikën dhe me të gjitha vendet e Europës, patjetër që ne kemi kontakte dhe mund të shfaqet.”
Situata epidemiologjike paraqet infeksione respiratore në rritje dhe shumë pak raste të testuara me COVID.
“Shifra aktualisht mund të shkojë diku te 12.000 raste në javë.”
Mjekët u bëjnë apel qytetarëve të testohen pranë mjekut të familjes për COVID, pasi virusi është në qarkullim dhe një diagnozë diferenciale nga gripi apo infeksione të tjera respiratore çon drejt një mjekimi më të saktë.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




