Berlini kërkon mbrojtje më të fortë tregtare të BE-së përballë Kinës

Gjermania, e cila për vite me radhë i është shmangur masave shtrënguese ndaj Kinës nga frika e hakmarrjes ekonomike, po ndryshon rrënjësisht qasjen e saj. Presioni në rritje mbi sektorët kryesorë industrialë ka shtyrë Berlinin të kërkojë mekanizma më të ashpër mbrojtës nga Bashkimi Evropian.
Në muajt e fundit, frika se hakmarrja e Pekinit mund të dëmtonte eksportuesit gjermanë ia ka lënë vendin gatishmërisë për përshkallëzim mbrojtës. Kancelari Friedrich Merz dhe Presidenti francez Emmanuel Macron i janë drejtuar përmes një letre të përbashkët Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke kërkuar instrumente të reja mbrojtëse — përfshirë një mekanizëm të tipit “kill-switch” — për të shkëputur partnerët tregtarë nga tregu i vetëm i BE-së nëse zbatohen praktika të padrejta.
Sipas ekspertëve, kërcënimi i drejtpërdrejtë ndaj bazës industriale ka bindur udhëheqjen gjermane se kostot e mosveprimit janë tashmë më të mëdha se rreziqet e reagimit.
“Kërcënimet ndaj fuqisë eksportuese të Gjermanisë ‘e kanë bindur Merz dhe këshilltarët e tij më të ngushtë se përfitimet e veprimit i tejkalojnë kostot e mosveprimit’.”, tha Noah Barkin, nga Rhodium Group
Rënia e eksporteve dhe presioni mbi industrinë e automobilave
Të dhënat zyrtare tregojnë se Kina ka rënë nga tregu i dytë më i madh i eksportit të Gjermanisë në të nëntin gjatë gjysmës së parë të vitit. Prodhuesit gjermanë po përballen me një rënie të ndjeshme të shitjeve në Kinë — ku eksportet e makinave ranë me 66% midis viteve 2022 dhe 2025 — si dhe me një valë të re hyrëse të automjeteve elektrike kineze në vetë tregun evropian.
Gjigantë industrialë si VW, Audi dhe Porsche kanë njoftuar reduktime të dukshme të fuqisë punëtore, ndërsa importet e makinave kineze në Gjermani u rritën me 121% në shtatë muajt e parë të vitit, duke përbërë gati 14% të totalit të importeve të automjeteve.
Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit e industrisë gjermane të inxhinierisë mekanike (VDMA) kanë paralajmëruar se masat e padrejta tregtare po çojnë në deindustrializimin e vendit.
“Aktualisht po deindustrializohemi përmes masave të padrejta — dhe shumica e kompanive nuk janë më të gatshme ta pranojnë këtë.”, thekson Oliver Richtberg, drejtues i tregtisë së jashtme në VDMA.
Sfidat e lëndëve të para dhe negociatat BE-Kina
Përveç konkurrencës në automjete, shqetësim kryesor i Berlinit mbetet varësia nga Kina për lëndët e para kritike, veçanërisht mineralet e rralla të tokës dhe magnetet e nevojshme për industrinë e automobilave, mbrojtjen dhe energjinë e rinovueshme.
Në përpjekje për të shmangur një përplasje të hapur tregtare, BE-ja dhe Kina kanë arritur një mirëkuptim kuotash gjatë bisedimeve në Pekin. Marrëveshja synon të kufizojë importet e automjeteve hibride kineze në BE në 350,000 njësi në vit, me një rritje vjetore prej 6% gjatë katër viteve të ardhshme.
Meqenëse tregu evropian mbetet një destinacion kyç për eksportet kineze — me një volum prej 254 miliardë dollarësh në gjysmën e parë të vitit — analistët vlerësojnë se negociatorët e BE-së zotërojnë hapësirë të mjaftueshme për të mbrojtur tregun e tyre pa nxitur domosdoshmërisht një luftë të plotë tregtare.
“BE-ja ka më shumë ndikim sesa mendon ndonjëherë.”, deklaroi Andreas Mischer, hulumtues në MERICS.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




