Dhuna në protestën te Ministria e Arsimit, lëndohen 6 policë, shoqërohen 23 persona

Aktualitet | 2 orë më parë

Policia e Shtetit ka nxjerrë një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjet e zhvilluara gjatë tubimit të mesditës së sotme në afërsi të godinës së Ministrisë së Arsimit. Sipas njoftimit, strukturat policore kishin hartuar paraprakisht një plan masash në zbatim të ligjit dhe procedurave standarde për garantimin e rendit publik.

Pavarësisht masave të marra, gjatë zhvillimit të tubimit një grup pjesëmarrësish ka kryer veprime të dhunshme, duke dëmtuar rrethimin e jashtëm dhe portën hyrëse të oborrit, si dhe duke thyer xhamat dhe fasadën e godinës me pllaka guri dhe sende të forta.

Sulmi ndaj efektivëve dhe ndërhyrja e Policisë

Sipas policisë, punonjësit e rendit u kanë bërë thirrje të përsëritura protestuesve për të ndërprerë sulmin dhe për t’u larguar nga oborri i institucionit. Pasi pjesëmarrësit nuk u janë bindur thirrjeve dhe kanë vijuar goditjet me molotovë, kapsolla e sende të forta, strukturat e policisë kanë ndërhyrë.

“Në këto kushte, në përputhje me ligjet në fuqi dhe procedurat standarde të punës, strukturat e Policisë kanë ndërhyrë në mënyrë proporcionale për neutralizimin e autorëve të këtyre veprimeve dhe rivendosjen e rendit.”, thuhet në njoftim.

Nga ndërhyrja e policisë janë shoqëruar 23 persona për veprime të mëtejshme procedurale.

Bilanci i të lënduarve dhe nisja e hetimeve

Si pasojë e përplasjeve dhe sulmit nga persona të maskuar, janë lënduar 6 punonjës policie të Forcës Kombëtare të Sigurisë, si dhe një gazetare. Autoritete konfirmojnë se të gjithë të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Strukturat hetimore të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë nisur menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë në veprime të paligjshme.

“Policia e Shtetit thekson sërish angazhimin e saj për të garantuar plotësisht ushtrimin e së drejtës kushtetuese të qytetarëve për tubim paqësor dhe fton pjesëmarrësit në tubime që të mos bëhen pjesë e veprimeve të kundërligjshme, që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, pasi do të përballen me pasojat penale që parashikon ligji”, apelon Policia e Shtetit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme