Protesta përshkallëzohet në dhunë, studentët përplasen me policinë para Ministrisë së Arsimit

Aktualitet | 3 orë më parë

Një protestë e zhvilluar sot para godinës së Ministrisë së Arsimit është shoqëruar me akte dhune dhe përplasje mes forcave të rendit dhe protestuesve, duke sjellë dëmtime materiale, të lënduar dhe dhjetëra të shoqëruar.

Protesta nisi rreth orës 14:00, ku për rreth një orë pjesëmarrësit protestuan qetësisht. Rreth orës 15:00, situata u tensionua pasi një pjesë e të pranishmëve nisën të dëmtonin mjediset e jashtme të institucionit të Ministrisë së Arsimit.

Sipas raportimeve nga vendngjarja, protestuesit shkulën kangjellat e trotuarit dhe dëmtuan një prej portave të oborrit, duke mundësuar hyrjen e një grupi brenda hapësirës së brendshme të godinës. Më tej, persona të maskuar hodhën kapsolla, gurë, vezë, molotovë dhe pllaka trotuari në drejtim të godinës dhe efektivëve të policisë, duke thyer disa nga xhamat e fasadës.

Për të zmbrapsur sulmin dhe për të rivendosur rendin, Policia e Shtetit ndërhyri përmes përdorimit të sprajit me piper, gazit lotsjellës dhe ujit me autobotë që ndodheshin në gatishmëri.

Bilanci, 23 të shoqëruar dhe 7 të lënduar

Në një njoftim zyrtar, Policia e Shtetit bëri me dije se ndërhyrja e saj ishte proporcionale dhe në përputhje me procedurat standarde për neutralizimin e veprimeve të paligjshme.

Si pasojë e përplasjeve, mbetën të lënduar 6 punonjës të Forcës Kombëtare të Sigurisë si dhe një gazetare, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, policia shoqëroi 23 persona për veprime të mëtejshme procedurale.

Strukturat hetimore të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë nisur punën për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë personave të përfshirë në aktet e dhunës.

“Në këto kushte, në përputhje me ligjet në fuqi dhe procedurat standarde të punës, strukturat e Policisë kanë ndërhyrë në mënyrë proporcionale për neutralizimin e autorëve të këtyre veprimeve dhe rivendosjen e rendit.”, thuhej në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.

Reagimet e zyrtarëve të qeverisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, reagoi përmes rrjeteve sociale duke dënuar sulmet ndaj efektivëve të policisë dhe duke u bërë thirrje protestuesve për qetësi.

“Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur ndërsa kryenin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë. E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar. Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë detyrën e saj për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke respektuar të drejtën për protestë paqësore.”, deklaroi Demo.

Gjithashtu, edhe zëvendëskryeministrja Albana Koçiu shprehu keqardhjen për përshkallëzimin e situatës dhe dëmtimin e pronës publike.

“E trishtë të shohësh se si kultura e protestës degradon në një dhunë të orkestruar. Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje. Zhurma e gurëve, sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe shkatërrimi i pakuptimtë i pronës publike, nuk janë gjuha me të cilën i ka hije rinisë të shprehet.” tha Koçiu.

Reagimi i opozitës

Nga ana e opozitës, Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u bëri thirrje forcave të policisë të mos ushtrojne dhunë ndaj studentëve, duke theksuar se kërkesat e të rinjve duhet të dëgjohen.

“Të rinjtë dhe të rejat që protestojnë për një Shqipëri më të mirë meritojnë respekt, jo dhunë; përgjigje, jo represion; liri, jo frikësim! Kush ngre dorë mbi rininë, dëshmon frikën nga zëri i saj dhe nga ndryshimi që ajo kërkon. Duart larg studentëve.” deklaroi Bardhi.

Trazirat në protestë/ Ministria e Shëndetësisë: 13 persona të lënduar

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka njoftuar se të gjitha strukturat spitalore dhe shërbimet e emergjencës mjekësore kanë qenë dhe vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur me shpejtësi çdo nevoje për ndihmë shëndetësore pas përshkallëzimit të situatës gjatë protestës.

Sipas të dhënave zyrtare nga MSHMS, ndihmë mjekësore kanë marrë në total 13 persona, mes të cilëve efektivë policie, protestues, përfaqësuese të medias dhe kalimtarë të rastit.

Gjendja e të lënduarve në QSUNT dhe Spitalin e Traumës

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore si pasojë e ekspozimit ndaj gazit lotsjellës. Pas ndihmës së marrë, dy prej tyre janë larguar nga spitali, ndërsa i treti vijon t’i nënshtrohet ekzaminimeve në urgjencë.

Pranë Spitalit Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor dy gazetare. Pas ekzaminimeve dhe konsultave, ato janë larguar nga spitali jashtë rrezikut për jetën.

E njëjta strukturë spitalore ka trajtuar edhe gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët kanë pësuar dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në gjymtyrë. Pasi kanë marrë kujdesin e nevojshëm, efektivët janë larguar nga spitali.

Gjithashtu, për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy kalimtarë të rastit, nga të cilët njëri është shtruar në spital për trajtim të mëtejshëm, ndërsa tjetri po mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga mjekët.

“Të gjitha strukturat spitalore dhe emergjencat mjekësore kanë qenë dhe janë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur me shpejtësi çdo nevoje për ndihmë mjekësore gjatë protestës dhe pas përshkallëzimit të situatës.”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme