“Ambasadorët e Fshatit”, një nismë për promovimin e turizmit rural në Korçë

Turizëm | 1 orë më parë

Këshilli i Qarkut Korçë ka ndërmarrë projektin “Ambasadorët e Fshatit , 12 ambasadorë në nxitje të turizmit rural”, me synimin për të promovuar vlerat natyrore, kulturore, historike dhe ekonomike të fshatrave të qarkut.

Kryetari i Këshillit të Qarkut Petrika Tollkuçi thotë se projekti parashikon përzgjedhjen e 12 ambasadorëve, të cilët do të trajnohen në marketingun digjital, fotografi, video dhe promovim turistik.

“Fillimisht, është menduar që ky proces të realizohet nëpërmjet aplikimit në linkun që ne kemi lançuar. Pas aplikimeve, do të përzgjidhen 12 persona, pra 12 ambasadorë.

Faza e dytë do të jetë përzgjedhja e fshatrave përkatës. Do të mundohemi të përzgjedhim fshatra që nuk janë reklamuar apo marketuar deri më sot, por që kanë shumë atraksione turistike në aspektin e natyrës, historisë, kulturës dhe produkteve bujqësore e blegtorale.

Faza e tretë do të jetë trajnimi dyjavor i këtyre të rinjve nga Këshilli i Qarkut dhe profesorë të fushës nga Universiteti i Korçës, me të cilin kemi një marrëveshje bashkëpunimi. Në përfundim të trajnimit, këta persona do të certifikohen dhe do të jenë më të aftë për të kryer detyrën e tyre në promovimin e fshatit.

Pjesa e katërt ka të bëjë me realizimin e fotove dhe videove që pasqyrojnë çdo aspekt të fshatit që këta të rinj apo persona përfaqësojnë, duke nisur nga natyra, atraksionet kulturore dhe historike, e deri te produktet bujqësore dhe blegtorale”, u shpreh Tollkuçi.

Nisma synon të nxjerrë në pah edhe fshatrat më pak të njohur, të krijojë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik të komuniteteve rurale dhe të fuqizojë përfshirjen e të rinjve e të pasionuarve në promovimin e vendlindjes së tyre.

Aplikimi është i hapur për personat mbi 18 vjeç që jetojnë në fshatrat e qarkut Korçë dhe afati i aplikimit është deri më 19 tetor, ora 16:30 në linkun e publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Qarkut në facebook.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme