Letërsia Amerikano-Latine në Shqipëri/Ekspozita sjell botime dhe dokumente të periudhës 1945–1991
Letërsia amerikano-latine dhe mënyra se si ajo u përdor për propagandë gjatë regjimit komunist në Shqipëri janë në qendër të një ekspozite të hapur në Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër. Përmes librave, dokumenteve dhe materialeve arkivore, ekspozita sjell një panoramë të botimeve të autorëve të Amerikës Latine në vendin tonë gjatë viteve 1945–1991.
“Është një periudhë historike e cila nuk mund të përjashtohej nga lëvizjet letrare dhe as të izolohej plotësisht nga bota e jashtme, pavarësisht se Shqipëria ishte fizikisht e izoluar. Interesi ishte që autorët e huaj të përdoreshin në mënyrë të tillë që, nëpërmjet propagandës dhe censurës, të përshtateshin dhe të përfshiheshin në realitetin e përditshëm shqiptar”, u shpreh Pjerin Mirdita, Përgjegjës i Vendit të Dëshmisë dhe Kujtesës.
Ekspozita është e ndarë në dy cikle. I pari përfshin dokumente të siguruara nga Arkivi Qendror i Shtetit dhe Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Përgatitja e tyre ka kërkuar një punë të gjatë kërkimore.
“Cikli i dytë përfshin libra dhe botime nga vitet 1950 deri në vitet 1980. Bëhet fjalë për përkthime të autorëve të ndryshëm amerikano-latinë, duke filluar nga gazetari dhe shkrimtari modern brazilian dhe duke përfunduar me periodikë të ndryshëm të kohës, siç është, për shembull, revista Nëntori”, tha Xherardo Nikjari, Kurator i ekspozitës.
Librat e paraqitur janë pjesë e koleksioneve të Bibliotekës Publike “Marin Barleti” dhe Bibliotekës Shkencore të Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Ekspozita u jep vizitorëve mundësinë të njihen me një pjesë të historisë së letërsisë së huaj në Shqipëri dhe ndikimin që politika e kohës kishte në përzgjedhjen dhe botimin e këtyre veprave.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




